2011-02-22 15:37:18

Beograd: ndihmesa e Kishave të Evropës për integrimin e kontinentit.


(22.02.2010 RV)“Si të krishterë mund t’i japim Evropës një kontribut të posaçëm dhe urojmë që ekumenizmi të zhvillohet më tej e të dëshmojë impenjimin e të krishterëve për të mbajtur gjallë dashurinë, e cila na shtyn të shkojmë pas Jezusit e të bëhemi ndërtues të paqës së vërtetë, e cila i ka rrënjët në zemrat e popujve dhe të kombeve.” Me këtë deklaratë u mbyll në Beograd takimi i Komiteti të përbashkët të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee) dhe i Konferencave të Kishave evropiane (Kek) që këtë vit pati si temë “Identiteti kombëtar dhe integrimi evropian: Kontributi i të krishterëve.” Integrimi, nënvizuan pjesëmarrësit, është një rrugëtim që përfshin identitetin e rrënjosur tek secili e që na lejon të zbulojmë dhantitë e të tjerëve.
Në këtë takim u diskutua gjithashtu edhe për krizën ekonomike dhe u theksua se “pa solidaritet dhe vlera të tjera që feja na bën t’i zbulojmë e t’i ruajmë, Evropa nuk do të mund të arrijë kurrë një zhvillim të plotë. “Është me vend të pohojmë se kriza i ka vënë vendet tona përballë një dileme, duhet të zgjedhin proteksionizmin ose solidaritetin. Jemi të bindur se vetëm kur je i sigurtë për identitetin tënd je në gjendje të njohësh vlerat e atij tjetrit dhe rëndësinë e lidhjeve që e promovojnë ndihmën e ndërsjellë”- vihet në dukje mes tjerash në deklaratën përfundimtare të Takimit të Beogradit.







All the contents on this site are copyrighted ©.