2011-02-21 17:41:10

Vala e protestave zbarkon edhe në Kinë?


(21.02.2011 RV)Manifestimet që kanë përfshirë botën arabe fillojnë të kenë ndikim edhe në Kinë. Dje në Pekin e në Shangai, policia shpërndau protesta, të frymëzuara nga një thirrje e botuar në internet për “revolucionin e jaseminëve”, sipas emrit, që revolta mori në Tunizi. Në Pekin u mblodhën disa dhjetra vetë e një student hodhi në ajër një tufë jaseminësh. Në Shangai, policia ndali tre të rinj. A mund të përhapet vala e protestave edhe në Kinë, ku akoma sundojnë komunistët, të cilët kanë pranuar vetëm ekonominë e tregut, por jo edhe të drejtat themelore të njeriut? Të dëgjojmë ekspertin italian të çështjeve aziatike, Fernando Meceti:RealAudioMP3
Vala mund të arrijë në Ksinjang. Ksinjangu është rajon mysliman i Kinës, në Azinë qendrore. Ka pasur protesta edhe vitet e kaluara, që kanë përfunduar me masakra nga ana e pushtetit, me dhjetra e dhjetra të vdekur. Tanimë, Kina nuk është e mbyllur si një herë e një kohë: sigurisht, krejt Ksinjangu e di se ç’po bëhet në Tunizi, në Egjipt, në Bahrein.
Nga sheshi Tienanmen e deri më sot, a kanë ndryshuar kërkesat e të rinjve kinezë?
Presin më shumë, natyrisht. Tmerri i pushtetit është pikërisht një Tienanmen i ri. Ajo që ndodhi në Kajro është tepër e ngjashme me ngjarjet e Tienanmenit: sheshi Tahrir i mbushur me manifestues e opozitorë, siç ndodhi në vitin 1989 në Tienanmen. Kina nuk do ta lejojë përsëritjen e atyre ngjarjeve. E kjo përmes shtypjes, të cilën e ka vënë tashmë në zbatim: kontroll shoqëror, kontroll policor… Me fjalë të tjera: “bëni ç’të doni, mjafton të mos merreni me politikë”. Kjo do të jetë sfida, sepse ekziston edhe pakënaqësi shoqërore. Me reformat, janë krijuar klasa shoqërore, që nuk ekzistonin në kohën e maoizmit. Ka ndryshim të madh ndërmjet të pasurve e të varfërve, ndërmjet atyre që kanë e atyre që s’kanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.