2011-02-21 17:30:45

Papa në Engjëllin e Tënzot: “Nuk duhet të hakmerremi e as të urrejmë, edhe në se vuajmë nga padrejtësitë”.


(21..02.2011 RV)Kush e pranon Zotin në jetën e vet, nis të jetojë një jetë të re: Benedikti XVI shfrytëzoi leximet e djeshme liturgjike, për t’i porositur besimtarët të mos i përgjigjen urrejtjes me urrejtje, edhe atëherë kur vuajnë nga padrejtësitë, të cilat, për fat të keq, nuk mungojnë kurrë në jetën tokësore. Ndërsa barinjtë, Ati i Shenjtë i porositi të punojnë me një stil të ri, të frymëzuar nga dashuria e vërtetë.RealAudioMP3

“Kur vuajmë për shkak të së keqes, të persekutimit, të padrejtësisë, ta lëmë mënjanë hakmarrjen dhe urrejtjen e të lutemi për persekutorët tanë”. Janë fjalët e Papës në gjuhën polake, të frymëzuara prej Ungjillit të meshës së djeshme, nga i cili Jezusi vijon të na flasë, të na porosisë, të na bëjë thirrjen, që përshkon shekujt, deri në mbarim të jetës: “Duajini armiqtë tuaj! Lutuni për ata, që ju mundojnë!”.
Benedikti XVI e bëri të vetën lutjen e njeriut, që vuan, për të pohuar qartë: “T’i lëmë në dorë të Zotit të gjithë armiqtë e armiqësitë, sepse vetëm kështu mund të fitojmë lirinë dhe paqen e vërtetë shpirtërore”. E kur e jep këtë porosi, Papa ka parasysh drejtësinë e themeluar nga vetë Zoti. Me ligjet e tij – shpjegoi – Zoti themeloi ligjshmërinë shoqërore, duke e bazuar mbi kryeurdhërin: “Duaje të afërmin tënd si vetveten!”:
“Në se ia vëmë veshin, pastaj, Jezusit, në të cilin Hyji mori trup të vdekshëm, për t’u bërë i afërmi i çdo njeriu e për të zbuluar dashurinë e pakufishme për secilin nga ne, do ta gjejmë përsëri të njëjtën thirrje, të njëjtin qëllim, tejet të guximshëm”.
Benedikti XVI e përsëriti fjalën ‘të guximshëm’, duke kujtuar ftesën e Zotit “për të qenë të përsosur, si Ati qiellor”. E më pas Papa iu përgjigj pyetjes, që i bën vetes secili nga ne: “Ç’duhet bërë, për t’i përngjarë Jezusit?
Kush e pranon Zotin në jetën e vet dhe e do me gjithë zemër, është i aftë ta rifillojë jetën nga e para. Ia del mbanësh të bëjë vullnetin e Zotit: të realizojë një formë të re jete, të frymëzuar nga dashuria e të paracaktuar për amshim”.
Papa shtoi:
“Gjë e madhe, dashuria – lexojmë në Librin “Imitimi, apo të përngjamët e Krishtit”, një e mirë që e bën të lehtë çdo barrë e që e ndihmon njeriun ta kapërcejë me qetësi çdo vështirësi, sado e rëndë të jetë. Dashuria të frymëzon të ngjitesh lart e më lart, pa asnjë pengesë tokësore. Lind nga Zoti e vetëm në Zotin mund të gjejë pushim”.
Pastaj, një mendim i posaçëm për ipeshkvijtë, barinjtë e Kishës:
Të dashur miq, pasnesër, më 22 shkurt, do të kremtojmë festën e Katedrës së Shën Pjetrit. Atij, të Parit të Apostujve, Krishti ia besoi detyrën e mësuesit e të Bariut, për drejtimin shpirtëror të Popullit të Zotit, që të mund të lartohej deri në qiell. I nxis, prandaj, të gjithë Barinjtë, ta bëjnë të vetin këtë stil të ri jete, i cili u përurua nga vetë Jezusi e u ndoq nga Apostujt”.
Gjatë përshëndetjeve, në frëngjisht Papa nënvizoi se dashuria ndaj të afërmit, për të cilën flet Zoti, është e aftë ta ndryshojë rendin e botës, sepse i jep forcë njeriut të mos joshet nga premtimet e rreme e nga idhujt, që i propozohen nga të katër anët, duke e ftuar të dredhojë rrugë e të vihet në shërbim të mbrapshtisë, domethënë, të vdekjes së amshuar!
Në anglisht, përshëndeti posaçërisht këngëtarët e rinj të Shkollës së Londrës, që mban emrin e kardinalit Herbert Vaughan, kryeipeshkëv i Uestminsterit e themelues i Shoqatës misionare të Shën Jozefit di Mill, vdekur në vitin 1903. Papa kujtoi edhe moton e kardinalit: “Të duash e të shërbesh”.
Në gjuhën spanjolle, një mendim për popullin kolumbian dhe për nismat, në përkujtim të 25-vjetorit të shtegtimit të Gjon Palit II në Kolumbi. Benedikti XVI e ftoi popullin e Kolumbisë, ashtu si edhe popujt e tjerë, në të katër anët e botës, të punojë për edukimin me frymën e vëllazërimit e të harmonisë ndërmjet njerëzve, pa dallime e pa përjashtime.
Në italisht, një përshëndetje e posaçme për besimtarët, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga famulli të ndryshme italiane e, posaçërisht, Bijat e Shën Kamilit, në njëqind vjetorin e lindjes për qiell të themelueses, së Lumes Gjyzepina Vanini. Të gjithëve, urimin për një të diele e javë të gëzuar!







All the contents on this site are copyrighted ©.