Në faqen e kalendarit kishtar: Shën Pier Damiani, ipeshkëv e dijetar i Kishës.
(21.02.2011 RV) Figurën e oshënarit e të teologut të madh, Shën Pier Damiani,
i cili jetoi ndërmjet viteve 1007 e 1072, në Itali, po e përshkruajmë me fjalët e
Benediktit XVI, sipas audiencës së përgjithshme të 9 shtatorit 2009, kushtuar Shenjtit.
Papa e përshkruan atë, që e quante veten “shërbëtori i fundmë i murgjërve”, si personalitet
të pasur dhe të ndërlikuar të Kishës së Mesjetës, gjeni të teologjisë, mjeshtër të
jashtëzakonshëm të pendës, njeri që shkroi faqe të paharrueshme dhe aktuale për bukurinë
e Zotit, për dashurinë e Krishtit në Kryq, për vlerën e heshtjes së shpirtit. Por
jeta e Shën Pier Damianit nuk u flet vetëm rregulltarëve e personave të shuguruar.
Jeta e oshënarit është kulmi i jetës së krishterë, pasi murgu, i lirë nga lidhjet
me botën, fiton “paradhënien e Shpirtit Shenjt e shpirti i tij bashkohet, i lumtur,
me Dhëndrin Hyjnor”. Kjo është e rëndësishme edhe për ne sot, megjithëse nuk jemi
murgjër: të dimë të heshtim brenda nesh për të dëgjuar zërin e Zotit, të kërkojmë,
si të thuash, një vend ku Zoti të flasë me ne. Mësimi i Fjalës së Zotit në lutje e
meditim është rruga e jetës. Të njohura, shkrimet e Shën Pier Damianit mbi Kryqin
e Krishtit e mbi jetën e oshënarit, reflektime që kthehen në Rregull, për të formuar
bashkëvëllezërit e tij kamaldolezë në shekuj, deri në ditët tona. Bashkimi intim me
Krishtin impenjon jo vetëm murgjërit, por gjithë të pagëzuarit. Gjejmë këtu një thirrje
të fortë edhe për ne, që të mos e lëmë veten krejtësisht në dorën e trazirave, problemeve
e shqetësimeve të përditshme, duke harruar se në qendër të jetës sonë duhet të jetë
gjithnjë Jezusi. Shën Pier Damiani punoi shumë për të përmirësuar ambientin kishtar
të kohës së vet e dha një kontribut të çmuar, që Kisha të luante rolin e saj të natyrshëm
për kujdesin e shpirtrave. Ai i dënoi ipeshkvijtë e abatët, që e kryenin detyrën,
si të ishin diktatorë, e jo barinj të Kishës. Murgu, i cili më vonë u bë kardinal
e ipeshkëv i Ostias veç për t’iu bindur Papës, na la kështu një mësim të madh: na
mësoi se Kisha duhet të jetë e bashkuar, se universaliteti i saj duhet të jetë i
pranishëm në secilin prej nesh, në mënyrë që edhe shërbimi i një personi të vetëm,
të jetë shprehje e këtij universaliteti.