(21.02.2011 RV)Gjithnjë e më dramatike gjendja në Libi, ku vazhdojnë protestat,
me sulme kundër selisë së Parlamentit, Pallatit Qeveritar e ndërtesave të tjera publike.
Mijëra manifestuesve, që nga Bengazi e kanë zhvendosur revoltën në Tripoli, u janë
shtuar edhe ushtarët. Sipas bilanceve, akoma të përkohshme, viktimat janë nga 300
në 400 vetë. Nuk dihet fati i Muhamar Gedafit, për të cilin disa thonë se është
në Tripoli, të tjerë në Venezuelë. Dje, i biri, Saif al Islam premtoi në televizion
reforma e ndryshime në kushtetutë, por njerëzit vazhdojnë protestën. Të huajt, duke
përfshirë edhe firmat e mëdha për nxjerrjen e naftës, po largohen me shpejtësi nga
vendi, ku rritet rreziku i luftës civile. Interneti dhe komunikimet me telefon janë
ndërprerë në shumë zona të Libisë e fiset libike, njëra pas tjetrës, po deklarohen
kundër Gedafit. Madje edhe krerët islamikë kanë theksuar se revolta kundër Gedafit
është detyrë e çdo myslimani. Ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen, pasi nuk është
dakord për shtypjen e protestave me dhunë. Çfarë kërkon rinia, që edhe në këtë vend
arab, ka marrë në dorë organizimin e manifestimeve? Të dëgjojmë mëkëmbësin apostolik
të Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli: Libia nuk është
vend i varfër si Egjipti, apo Tunizia. Populli ka kërkesa të drejta e ato janë themelore
sidomos për të rinjtë: të kenë një shtëpi, një pagë më të mirë, një vend pune. Janë
të gjitha kërkesa, që Libia mund t’i plotësojë, pasi i ka mundësitë ekonomike. Këtu
qëndron kriza e të rinjve, të cilët shohin një vend që mund të bëjë diçka, por nuk
i ndihmon. Vetëm se të rinjtë po i bëjnë këto kërkesa përmes dhunës e kjo nuk është
rruga e drejtë. Si i përjeton Kisha në Libi këto çaste tensioni? Përsa
i përket Kishës, nuk ka probleme të veçanta. Kemi vështirësi në Bengazi, ku janë murgeshat,
që punojnë nëpër spitale. Edhe meshtarët nuk janë larguar nga vendi e kemi edhe të
krishterë, sidomos filipinas. Të gjithë kanë qëndruar aty e derisa të jetë e mundur,
duan të vazhdojnë shërbimin për popullin libik. Janë vetëm dy bashkësi murgeshash
në Beida, 200 km nga Bengazi, me të cilat nuk arrijmë të komunikojmë, pasi nuk funksionon
më as interneti, as telefoni. Cila është rruga për zgjidhjen e problemeve,
sipas jush? Është e vështirë të përcaktosh një rrugë. Ne dëshirojmë – dhe duam
me gjithë zemër – një formë pajtimi, në mënyrë që populli libik të marrë atë çka është
e drejtë. Këtë krizë unë e quaj krizë brezash: ka shumë të rinj që kanë nevojë për
shtëpi, për punë, etj… Por kanë ndërmarrë rrugën e dhunës e kjo nuk është mirë. Është
e rëndësishme të fillojë faza e dialogut ndërmjet palëve.