2011-02-19 16:08:56

U paraqit në Romë libri “Viti Paolin”, një viti hiri për Kishën Katolike


Një vit hiri hyjnor, i paharruar: kështu e paraqitën të enjten në Vatikan, librin e gazetarit italian Graciano Mota, kardinali Andrea Kordero Lanza di Montexemolo dhe kardinali Françesko Monterisi, i pari ish-kryeprift, i dyti kryeprifti aktual i Bazilikës Papnore të Shën Palit jashtë mureve, në Romë. Libri është nxjerrë nga Shtëpia Botuese e Vatikanit.
Të pranishmit në konferencën e shtypit vunë në dukje se libri është i saktë në përshkrimin e ngjarjeve dhe nuk ka aspak tone triumfaliste. Kardinali Kordero Lanca di Montexemolo kujtoi entuziazmin e Papës Benedikti XVI në fillim të Vitit kushtuar Shën Palit Apostull, që vazhdoi nga qershori 2008 deri në qershorin e 2009-ës:
“Më tha: ‘Shën Pali është një nga pasuritë kryesore, si burime të fesë sonë, por është pak i njohur, ose i njohur keq apo i interpretuar keq’. Është një rast ky e madje – më tha – kemi dy arsye për ta shpallur këtë vit. Arsyeja e parë ishte pasuria e mendimit. Unë thosha me vete: po cila do të jetë arsyeja e dytë? E ai më tha: ‘Gjithçka do të bëjmë të mos e bëjmë vetëm, por bashkë me vëllezërit tanë të krishterë, me vëllezërit e ndarë’”.
Libri nuk jep vlerësime për rezultatet e Vitit Paolin për Kishën në mbarë botën, pasi ato do të shihen vetëm me kohë e nuk janë të përcaktueshme me numra, por është një pikë referimi për atë periudhë historike, të mbushur me nisma e reflektime të dobishme për krishterimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.