2011-02-19 16:11:42

Shenjtorët e javës 20 – 27 shkurt 2011


(20.02.2011 RV)Sot Kisha Katolike kremton të dielën e shtatë të kohës së zakonshme. Ungjilli i sotëm na fton të reflektojmë mbi mësimin e ri, që u dha Krishti dishepujve të vet, duke e shndërruar ligjin “sy për sy e dhëmb për dhëmb”, ligjin e hakmarrjes në ligjin e dashurisë e të mëshirës. “Duajini armiqtë e lutuni për ata që ju persekutojnë”. Vetëm kështu jeni bij të denjë të Zotit, thotë Jezusi.

Nesër, 21 shkurt, përkujtohet Shën Pjetër Damiani e shën Germani. Feja e lutja ecin së bashku, na mësojnë leximet e kësaj dite. Jezusi u tregon dishepujve se pa lutjen nuk mund të arrihet asgjë, as shërimi nga sëmundjet.

Të martën, Kisha Katolike feston Katedrën e Shën Pjetrit. Qëndrueshmëria e shtëpisë garantohet nga themelet. Duke ia besuar Kishën Pjetrit, Jezusi pranon se feja e Apostullit ishte e ndjerë, e vërtetë, e qëndrueshme. Shën Pjetri bëhet kështu garanti për fenë e të tjerëve, guri i këndit, që mban shtëpinë.

23 shkurt, përkujtojmë shën Polikarpin, ipeshkëv e martir, i cili na mëson se është e drejtë dëshira që ndjejnë të gjithë besimtarët për t’i shërbyer Krishtit, por nuk duhet të kemi pretendimin se jemi të vetmit, ose të parët që e bëjmë këtë.

Ditën e enjte, Kisha vendos para nesh shembullin e shën Modestit, duke na thënë se është i lum ai që beson në Zotin dhe e lë veten në dorën e Tij. Kështu në jetë, të vegjlit u besohen të mëdhenjve, që duhet të kujdesen për ta e t’i shoqërojnë në rrugët e jetës, derisa të rriten.

Të premten, më 25 shkurt, kremtohen shën Nestori, ipeshkëv e martir e shën Çezari. Ungjilli i kësaj dite u flet bashkëshortëve, duke na kujtuar planin e Zotit për të gjitha krijesat. “Njeriu të mos e ndajë atë që Zoti e bashkoi” tingëllon fraza e njohur e të gjitha martesave.

Dashuria e Zotit është e përjetshme. Ç’respekt tregon Jezusi për dinjitetin e fëmijëve dhe të drejtën e tyre për t’iu afruar Atij! Mbretëria e Zotit është vetëm për ata që do të bëhen si fëmijë, pra do ta lëshojnë krejtësisht vetveten në duart e Hyjit. Këtë na mëson Ungjilli i ditës së shtunë, 26 shkurt, kur kremtohen edhe shën Aleksandri e shën Vitori.

E diela e ardhshme, 27 shkurt, është e teta e vitit kishtar. Po këtë ditë përkujtohet edhe shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.