2011-02-19 17:56:03

Imzot Marini për Lumnimin e Gjon Palit II.


(20.02.2011 RV)Lumnimi i Gjon Palit II do të kremtohet të dielën, më 1 maj 2011. Përmes një Komunikate për këtë ngjarje të madhe kishtare, në të cilën parashikohet të marrin pjesë më se 2,5 milionë shtegtarë e besimtarë nga mbarë bota, njoftohet se do të ketë pesë kremtime kryesore.
Për kremtimin e Lumnimit më 1 maj të dëgjojmë, në mikrofonin e Radio Vatikanit, mjeshtrin e Kremtimeve liturgjike papnore, imzot Guido Marini:RealAudioMP3

Përgjigje - Kremtimi i Lumnimit do të ketë karakteristikat e të gjitha kremtimeve të kësaj natyre, prej këndej, gjatë Meshës do të jetë edhe çasti i Lumnimit e do të lexohet edhe një jetëshkrim i shkurtër i Gjon Palit II. Pastaj Benedikti XVI do ta shpallë solemnisht të Lum, do të zbulohet portreti, i varur në fasadën e Bazilikës së Shën Pjetrit, në lozhën qendrore e pastaj do të nderohet një relike, që do të sillet në elter. Këto janë çastet kryesore të ritit të Lumnimit, të përfshira në kremtimin eukaristik.

Pyetje: - Pastaj, menjëherë pas kremtimit, në bazilikën e Shën Pjetrit, përballë Elterit të Rrëfimit, do të ekspozohet arkivoli me trupin e të Lumit të ri. Do të qëndrojë aty, derisa të jetë larguar besimtari i fundmë…

Përgjigje: - Po u vendos kështu: arkivoli me trupin e Gjon Palit II, në të cilin nuk mund të shihet trupi, natyrisht i stolisur për kremtim, do të vendoset në Bazilikë, përballë Elterit të Katedrës e aty do të mund të ndalohen për pak çaste shtegtarët, që duan ta nderojnë. Është menduar që trupi, pastaj, të qëndrojë në Bazilikë, për të krijuar një atmosferë më të thellë lutjeje e në mënyrë që besimtarët të mund ta bëjnë këtë në një kontekst vërtet fetar.

Pyetje: - E pastaj, besoj, duhet kujtuar se për të marrë pjesë në këto çaste kremtore, nuk është e nevojshme të sigurohen bileta...

Përgjigje: - Po, Prefektura e ka dhënë disa herë zyrtarisht njoftimin se nuk do të ketë kurrfarë bilete për të hyrë në vendin e kremtimit.

Pyetje: - Atëherë ofertat për të shitur bileta, që u dukën në internet, janë mashtrim i mirëfilltë...

Përgjigje. - Po, natyrisht. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.