2011-02-19 16:10:11

Georg Razinger: Papa? Është im vëlla!


(20.02.2011 RV)Kohët e fundit vëllai i Papës Razinger, kompozitori dhe mjeshtri i korit, Georg Razinger, edhe ai klerik, i dha revistës “Inside the Vatican” një intervistë me kujtime nga jeta e përbashkët familjare me Papën. Disa pjesë të saj mund të ndiqen në blogun e Angela Ambrogetti-t, “Portone di bronzo” (Porta e bronzit).
Ngjarjet e fëmijërisë i kujtoj pak - i përgjigjet imzot Georg intervistueses - isha tepër i vogël, kur lindi im vëlla. Nuk më kujtohet as pagëzimi, sepse asokohe fëmija pagëzohej menjëherë pas lindjes. Prindërit nuk më morën me vete në Kishë, sepse bënte shumë ftohtë. Kujtimet e para më sjellin në mend një fëmijë tejet të vogël, pamja e të cilit më shtynte të pyes veten: “Po ky ç’na duhet?”.
Pastaj nisëm të rritemi, – vijon rrëfimin – ishim të dy djem e, natyrisht, luanim vazhdimisht bashkë. Madje nuk bënim gjë pa njëri–tjetrin. Kështu u lidha gjithnjë më ngushtë me vëllain e vogël. Ishim ne të dy, më të mëdhenjtë e shtëpisë, pasi motra ishte më e vogël. Së bashku bënim Shpellën e Betlehemit për Krishtlindje, së bashku organizonim një mori lodrash tradicionale e të shpikura pikërisht nga ne të dy. E një nga lodrat, e cila na pëlqente më shumë, ishte ajo që ne e quajtëm ‘loja e famullitarit’. E luanim të dy bashkë. Motra jonë, që do të bëhej rregulltare e mësuese, nuk merrte pjesë. Bënim sikur kremtonim meshën e kishim edhe kazulat, që i kishte qepur rrobaqepsja e nënës kastile për ne. E rrinim duke ndërruar rolet: herë bëhesha unë meshtari e Jozefi ministranti, herë rolin e meshtarit e luante ai e unë, atë të xhakonit. Po që një ditë ai do të luante rolin e Papës, kjo as nëpër mend nuk na kishte shkuar.
Në intervistën e gjatë, vëllai i Benediktit XVI na njeh jo vetëm me vitet e fëmijërisë dhe me lidhjen e thellë ndërmjet vëllezërve Racinger, por edhe me kohën e studimeve, me impenjimet e para akademike të Jozefit, me vendimin që morën të dy të studionin në Bon, për të qenë sa më pranë familjes.
Ndalet, pastaj tek pasioni i përbashkët për muzikën, sidomos për pianon, së cilës i binin shpesh me katër duar, duke mbushur me tinguj mahnitës shtëpinë e thjeshtë të familjes. Për macet, pastaj.
Georg Razinger ndalohet posaçërisht tek çasti tejet i vështirë, kur, në një farë mënyre, vëllezërit e pandarë, u detyruan të ndaheshin. Ishte çasti kur Papa Vojtila e thirri vëllain e vogël në Romë, për të drejtuar Kongregatën për Doktrinën e Fesë. E ai u nis, në sa vëllai i madh mbeti në Katedralen e Regensburgut, ku vijoi për vjet e vjet të drejtonte korin e mirënjohur në mbarë botën me emrin “I harabelave”, sepse i përbërë nga zëra të bardha.
“Çdo takim me tim vëlla më duket si rikthim në shtëpi, shpjegon imzot George, duke kujtuar vizitat e herëpashershme që i bën Jozefit. E kështu e ndjej se familja e Papës është edhe familja ime. Natyrisht: është im vëlla! Kur jemi larg, sa zgjohem në mëngjes, mendimin e parë e kam për të; për të, edhe lutjen e parë. I lutem Zotit t’i japë shëndet e forcë, sepse ka nevojë për të dyja, që ta kryejë si duhet misionin e madh të kryebariut të Kishës Katolike.









All the contents on this site are copyrighted ©.