2011-02-18 18:49:01

Prefekti i ri i dikasterit për Jetën rregulltare: Selia e Shenjtë e mbështet plotësisht misionin e të gjithë rregulltarëve.


(18.02.2011 RV)E sotmja, për kryeipeshkvin Joao Braz de Aviz, ishte paraditja e parë e punës si prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës së Përkushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Paradite, që nisi me përshëndetjen e ngrohtë drejtuar bashkëpunëtorëve të dikasterit, të cilit prefekti i ri do t’i kushtojë kujdes e vëmendje të veçantë, siç e pohon ai vetë, para mikrofonit tonë. Imzot Joao Braz de Aviz:RealAudioMP3

Përgjigje: - Pata një kontakt të këndshëm me njerëzit. Ishte kënaqësi për mua çasti i përshëndetjes me të 40 punonjësit e këtij dikasteri, qysh sot, bashkëpunëtorët e mi në misionin, që më ngarkoi Ati i Shenjtë. E kam për nder t’i shërbej Papës e edhe ta respektoj këtë grup të mrekullueshëm, të përbërë nga specialistë tejet të përgatitur.

Pyetje: - Cilat janë sot kërkesat kryesore të kësaj Kongregate?

Përgjigje: - Mendoj se kërkesa e parë është të njihet kjo pjesë e Kishës, themelore në historinë e shekujve, për ndihmesën që ka dhënë e vijon të japë. E respektoj me gjithë zemër jetën rregulltare. E mendoj edhe se rregulltarët i kushtohen Zotit me tre kushte, ndërmjet të cilave, patësrtia, celibati, që nuk është urdhërim i Zotit, po thirrje për ta dashur Zotin mbi gjithçka, duke u shkëputur nga të gjitha dashuritë tokësore. Rregulltarët janë të thirrur për këtë rrugë, e syri i Zotit është mbi ta. Mendoj akoma për problemin e mprehtë të plakjes së disa kongregatave rregulltare e për vështirësitë e zëvendësimit me kohë të breznive, që vijnë e shkojnë. Por e gjithë kjo, nuk duhet të na bëjë ta humbasim guximin, përkundrazi. Duhet ta shikojmë ardhmërinë me optimizëm, me sy pozitiv, sepse në jetën rregulltare elemeti pozitiv është i pranishëm, e është tejet i thellë e i madh.

Pyetje: - Një fjalë, imzot, për bashkësitë rregulltare, të përhapura deri në skajet më të largëta të botës?

Përgjigje: - Dua të them se dëshiroj ta njoh më thellë frymën rregulltare të urdhërave të ndryshme, të kongregatave, si atyre femërore, që përfaqësojnë 90% të këtij dikasteri, ashtu edhe të kongregatave mashkullore, me 10% përfaqësi. Dua të jem këtu si njeri që dëgjon shumë, që dëshiron të jetë pranë problemeve, duke krijuar lidhje personale me rregulltarët e, sidomos, dëshiroj të them se të gjithë rregulltarët e rregulltaret janë një fjalë, që i dhuron Zoti botës. Prandaj duhen dëgjuar, duhen mbrojtur, duhen ndihmuar, për të ecur lirisht në rrugën jo të lehtë, që kanë zgjedhur.








All the contents on this site are copyrighted ©.