2011-02-18 18:47:00

Lumnimi i Gjon Palit II do të ketë pesë kremtime kryesore.


(18.02.2011 RV)“Biletat që jep Prefektura e Shtëpisë Papnore për kremtimet e Atit të Shenjtë ose për audiencat e përgjithshme, janë gjithjnjë falas. Asnjë njeri ose ent nuk ka të drejtë të kërkojë kurrfarë pagese. Ndërsa për lumnimin e Gjon Palit II nuk do të ketë fare nevojë për bileta”. Prefektura e Shtëpisë Papnore e jep këtë njoftim, sepse në internet janë dukur oferta lidhur me shitjen e biletave për veprimtaritë papnore e, sidomos, për Lumnimin e Gjon Palit II, që do të kremtohet të dielën, më 1 maj 2011.

Komunikata për Lumnimin e Gjon Palit II njofton se kjo ngjarje e madhe kishtare, do të ketë pesë kremtime kryesore:
Kremtimi i parë, organizuar nga dioqeza e Romës, që e kishte Papën Vojtila ipeshkëv, do të jetë nata përgatitore e lutjes, më 30 prill, në Cirkun romak Massimo. Kremtimin do ta kryesojë kardinali Agostino Valini, Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës. Benedikti XVI do të lidhet përmes videos.
Kremtimi i dytë, të dielën, më 1 maj, që do të fillojë në orën 10.00 në Sheshin e Shën Pjetrit e që do të kryesohet nga Ati i Shenjtë është fare pa biletë, nën kontrollin e forcave të rendit.
Kremtimi i tretë, nderimi i relikeve të të Lumit të ri nga ana e besimtarëve do të fillojë që më 1 maj, menjëherë pas kremtimit të lumnimit e do të vijojë deri sa të gjunjëzohet besimtari i fundmë. Reliket e të Lumit do të ekspozohen për nderim në bazilikën e Shën Pjetrit, para Elterit të Rrëfimit.
Kremtimi i katërt, do të jetë Mesha e falënderimit, programuar për të hënën, 2 maj, në orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit. Do të kryesohet nga kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
Së fundi, trupi i të Lumit të ri do të vendoset, në formë private, në Bazilikën e Vatikanit, pranë kapelës së Shën Sebastianit.
Hollësirat e të gjitha kremtimeve do të njoftohen në kohën e duhur nga zyrat përkatëse.







All the contents on this site are copyrighted ©.