2011-02-17 15:39:30

Takimi i Komitetit të përbashkët Ccee–Kek: bisedë me imzot Stanislav Hočevar


Si mund të kontribuojnë të krishterët evropianë për rizbulimin dhe fuqizimin e identitetit të Kontinentit, duke dhënë, posaçërisht, ndihmesën e tyre për integrimin e vendeve të Lindjes? Kësaj pyetjeje po përpiqen t’i përgjigjen anëtarët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Ccee), dhe të Konferencës së Kishave Evropiane (Kek), të cilët u mblodhën sot në Beograd, për takimin e zakonshëm të Komitetit të përbashkët të të dy organizmave. Folëm për këtë, me kryeipeshkvin Metropolit të Beogradit, imzot Stanislav Hočevar:

Përgjigje: - Në Beograd [dëshirojmë t’]i urojmë mirëseardhjen këtij takimi, për disa arsye. Para së gjithash, sepse qyteti i Beogradit ndodhet pikërisht në kufirin ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Këtu, në rrjedhë shekujsh, u takuan shpesh kulturat lindore me ato përendimore. Përveç kësaj, kryedioqeza jonë, Konferenca jonë ipeshkvnore dhe Konferencat pranë Serbisë, kremtojnë trevjeçarin e përgatitjes për vitin 2013, kur do të përkujtojmë 1700 vjetorin e Ediktit të Milanos e, sidomos, 1150 vjetorin e ardhjes së Shenjtorëve vëllezër, Çirili e Metodi, në Panoni: ata na lanë trashëgim një kulturë të krishterë të vërtetë. Për t’i kremtuar denjësisht gjithë këto ngjarje të mëdha, vitin e parë ia kushtuam dialogut. Dëshirojmë t’i shërbejmë Komitetit të përbashkët pikërisht këtu ku jemi, ndërmjet Lindjes e Perëndimit, të dialogojmë për identitetin kombëtar e konfesional të popujve të Evropës e të shikojmë si mund të punojmë për bashkëjetesën ndërmjet Kishave të krishtera e sidomos, për bashkëpunimin sa më të ngushtë ndërmjet tyre, në shërbim të pajtimit e të paqes në Evropë. Në këtë drejtim do të punohet edhe në takimin, që po mbahet këto ditë.

Pyetje: - Ju keni ftuar specialistë të fushave të ndryshme, pikërisht për ta thelluar temën e identitetit kombëtar e të integrimit evropian…

Përgjigje: - Po, po flasin përfaqësuesit e Kishave të Brukselit e të Strasburgut e po diskutohet për të gjitha problemet, që kanë të bëjnë me identitetin dhe integrimin, për të parë në ç’drejtim mund e duhet të ecim në të ardhmen, gjithnjë në shërbim të paqes. Posaçërisht në Evropën Lindore, që duhet të integrohet me pjesën tjetër të Evropës, e jo vetëm sepse ka nevojë për këtë integrim. Ne besojmë se edhe Evropa Perëndimore ka nevojë për pasurinë e Evropës Lindore, për traditën lindore, që është shumë e fortë, pikërisht për ta gjallëruar krishterimin, për ta kuptuar, e sidomos, për ta ndjerë më thellësisht, Misterin e Hyjit, i cili në Lindje është jashtëzakonisht i pranishëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.