2011-02-17 10:10:19

Më 17 shkurt, përkujtojmë Atë Justin Rrotën në 122 vjetorin e lindjes


Atë Justin Rrota lindi më 17 shkurt 1889 në Shkodër. Mësimet e para i mori në Shkodër, kurse ato teologjike në Klagenfurt të Austrisë. Atë Justin Rrota ishte një ndër françeskanët më të shquar shqiptarë. Kontributi i tij ishte i madh për studimin e gramatikës shqipe e të historiografisë tonë letrare. Atë Justin Rrota ishte i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut të vitit 1555 nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
Atë Justin Rrota qe profesor në Troshan dhe pas vitit 1921 në gjimnazin “Illyricum” në Shkodër. Por meshtari françeskan-profesor u shqua edhe si mësimdhënës i aftë, studiues i paepur duke botuar artikuj dhe studime shkencore me pseudonimet Iris, Patër Ndou dhe Viator. Fillimisht shkrimet e para Rrota i botoi në revistat “Zani i Shna Ndout” dhe “Hylli i Dritës”, të cilat u përkasin disiplinave të gjuhësisë dhe të letërsisë. Është ndër botuesit e parë të teksteve për shkollat e mesme. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës.
Kontributi i Atë Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë sonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj. Siç thamë ai qe i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Atë Justin Rrota qe rregulltar françeskan tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas punës e uratës, gjithnjë për Fe e Atdhe.

Ja diçka nga veprat e Justin Rrotës
1.Don Gjon Buzuku (1555), pjesë të zgjedhura e të komentuara për shkolla të mesme, botuar në Hylli i Dritës VI, pastaj në Shkodër 1930 dhe 1938, në Shkrimtarët Shqipëtarë Tiranë 1941.
2.Ma të para kopje të fotografueme të Buzukut, Nëndori II, Tiranë 1941, n.3, faqe 76.
3.Hulumtime dhe shënime mbi Gjon Buzukun, Buletin 3, Tiranë, 1956:173188.
4. Rreth gramatikologjisë shqipe, Shkodër 1923, 1933.
5.Letratyra shqipe, Shkodër 1925, 1934, 1936, 1944.
6.Analizimi i rasave t'emnit, Shkodër 1931.
7.Sintaksi i shqypës, Shkodër 1932, 1942, 1944.
8.Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër 1936, Prishtinë 1968.
9.Don Lukë Matranga, shkrimtari ma i vjetri i italoshqiptarvet, Shkodër 1931, 1939.
10.Rreth votrës I, novela shkodrane, Shkodër 1945.

Atë Justi Rrota ka botuar edhe libra të tjerë me përmbajtje fetare e shpirtërore, si dhe studime të shumta filologjike e gramatikore në revistat e fletoret e kohës si Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout, Bijat e Zojës etj me emër të plotë. Në dorëshkrim janë Gjuha e shkrueme shqipe (850 faqe), Monografia e plotë e gramatikës, leksikologjisë, fonetikës, e morfologjis në gjuhën shqipe (dorëzuar Institutit të Gjuhësisë në Tiranë). Studime janë botuar edhe pa emër të tij nga pseudogramatikologët e kohës.
Vdiq dhe u varros në Shkodër më 21 dhjetor 1964.

Ju propozojmë një shkrim të prof. As. Dr. Tefë Topalli mbi figurën e veprën e Atë Justin Rrotës, që deri më tani nuk është studiuar e propozuar nga studiues e institute shkencore që i detyrohen shumë këtij personaliteti të letrave shqipe. Shkrimi i Prof. Tefë Topalli është botuar me rastin e 60 vjetorit të ribotimit të një “Gramatike”
60 Vjetori i Ribotimit të një Gramatike (1943-2003)
Autori Justin Rrota (1889-1964) është padyshim ndër emrat më të shquar të letrave shqipe, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte gramatikan (sintaksolog), estet, tekstolog, studiues i thellë i historisë së gjuhës së shkruar shqipe, pedagog, komentues dhe novelist. Është përfshirë si zë në vete në veprën "Leksioni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001", të H. Hasanit, botuar në Prishtinë nga Shtëpia Botuese "Faik Konica"2003, fq.384. J. Rrota lindi në Shkodër me 17 shkurt të vitit 1889. Pas mësimeve të shkollës fillore dhe atyre të mesme ndër institute të ndryshme françeskane, studimet e larta filozofike e teologjike i kreu në Wilach e në qytete të tjera të Austrisë, ku ndërkohë thelloi kulturën filologjike klasike e moderne.
Pas kthimit në atdhe, shërbeu në famullinë e Planit të Dukagjinit, ku hapi e mbajti një shkollë fillore, por, siç thuhet nga biografët e tij, jeten e vet e shkriu në liceun françeskan "Illyricum" të Shkodrës si profesor i gjuhës shqipe dhe i latinishtes për 25 vjet më radhë, derisa liceu u mbyll. Rrota ka qenë pjesëtar efektiv i Institutit të Studimeve Shqiptare, me cilësi lëvruesi të gjuhës. Që në moshë të re Justin Rrota ishte një nga bashkëpunëtorët më të rregullt e më të zellshëm të revistës së njohur "Hylli i Dritës" si dhe i së përkohshmes "Zani i Shna Ndout", ku pat shkruar kujtime fetare dhe kallëzime të bukura edukatore; ndërsa në artikujt gjuhësore të Hyllit të Dritës që dilnin me emrin e vet e me pseudonimet Iris, Patër Ndou e Viator, mund të përmendim "Rreth gramatologjisë shqipe në 5 numra të HD", "Rreth problemit të gjuhës letrare", rubrikën vrejte mbas vjretjesh etj. Përveç tri novelave me përmbajtje kombëtare, ku shquhet si krijues për një gjuhë të ëmbël e të shtruar, Justin Rrota bëri emër, sidomos, në fushë të arsimit, si hartues shumë i mirë tekstesh, duke botuar: 1. Letratyra Shqype për shkolla të mesme (1925) 2. Letratyra Shqype për klasat e ulta të shkollave të mesme pj e parë (1934) si dhe librin "Sintaksi i shqipes"(1942), me ribotim të përmirësuar, më 1943. Si filolog dhe studiues i gjuhës së shkruar, J. Rrota do të përmendet si i pari gjuhëtar shqiptar që ndoqi e hulumtoi rreth Mesharit të Gjon Buzukut, duke pasë bërë një fotokopje të tekstit buzukian në Bibliotekën e Propaganda Fides, në Vatikan. Në këtë hulli ai bëri studime për Lukë Matrëngën "Shkrimtari më i vjetri i italo-shqyptarvet", me copa të zgjedhuna e të komentueme (1931) e ribotuar (1939); ai dha një ndihmesë për historinë e alfabetit shqip (1936) si dhe shkroi veprën "Monumenti ma i vjetri i gjuhës shqype" D. Gjon Buzuku (1935), me copa të zgjedhuna e të komentueme (1938); botimin kritik të të cilit do ta realizonte afro 30 vjet më vonë prof. Eqerem Çabej. Kjo është njohja "zyrtare" e krijimtarisë letrare e shkencore e Justin Rrotës, së bashku me veprimtarinë e gjatë pedagogjike, por lexuesi ynë duhet të dijë se ai ka lënë edhe një vepër të plotë gjuhësore prej 800 faqesh të daktilografuara me titull "Gjuha e shkrueme", së cilës i kushtoi rreth 30 vjet të jetës së tij. Ai e kishte dorëzuar atë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku gjendet edhe sot në arkivin e tij në shënimin "Të ruhet përgjithmonë", çka tregon rëndësinë dhe konsideratën për këtë vepër, që është edhe tani e pabotuar.
Gramatikani i shquar vuajti me vite të tëra nga një paralizë parciale, por pa u larguar nga puna shkencore, ashtu, me njërën dorë, para makinës së vet të shkrimit, në një kthinë modeste të Kuvendit Françeskan të Shkodrës, ku edhe u shua më 1964.
* * * *
Pak histori
Megjithëse e dokumentuar rreth 5 shekuj e gjysmë më parë, në historinë e lëvrimit të gjuhës sonë, historiku i këvrimit të tsintaksës, është mjaft i shkurtër, pasi nis me pak punime nga fundi i shek. XIX e fillimet e shek. XX. Si në mjaft nivele gjuhësore: morfologji, etimologji, sidomos në leksokologji e leksikografi, edhe studimet e mirëfillta sintaksore për shqipen zënë fill nga albanologë të huaj. Kështu, është Maksimilian Lamberci ai që hartoi të parën monografi për sintaksën shqipe, në studimin e tij të plotë "Periudha hipotetike në gjuhën shqipe", me 164 faqe, botuar më 1914 në revisten "Indogermanische Forschungen", nën titullin "Die hypothetische Periode im Albanischen", ku autori, me një lëndë të pasur gjuhësore, vjelë nga tekste të vjetra, të reja e nga folklori, trajton probleme të strukturës së frazës (periudhës) në fjalinë kushtore; mjetet e lidhjes, kohët e mënyrat foljore, vlerat konotative të fjalisë kushtore etj. paraqitur këto edhe në planin krahasimtar me ndonjë gjuhë klasike apo me gjuhët ballkanike. Punimi i Lambercit mbetet i një rëndësie historike.
Në këtë kohë, pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe rritjes në gjërësi të shkollave shqiptare, u hartuan tekste gramatike të shqipes dhe sintaksës së saj në dhjetëvjetëshat e parë të shek XX . Kështu, në maj të vitit 1922, A. Xhuvani publikon "Njohunit e para të Syndaksës Shqipe, Pjes' e parë për Klasët e Nalta të Fillores", shtypun në Vlorë 1922. Është një doracak mësimor prej 48 faqesh, me një parathënie të autorit, ku shprehet se "Njohunit e para të syndaksës shqipe, qi po dalin sot në dritë, janë nji shkurtim e nji thjeshtim i mesimëvet të syndaksës, që u kanë pasë qenë mësuem nxanësvet të klasës gatimore të Normale, katër vjet ma parë n'Elbasan", duke shënuar se "janë marrë parasysh e për bazë edhe shumë tekste syndaktike", me autorë të përmendur nga shkolla të ndryshme gjuhësore, si: austriake gjermane frënge dhe italiane, nëpërmjet autorëve: Lahman, Adam, Dussouchet, Campanini e Soli.
Pësë vjet më vonë, me 1927, edukatori, gramerieni (gramatikani shën. im T.T) dhe eruditi (kështu shënohet nën emrin e tij), Ilia Dilo Sheperi, boton në Vlorë tekstin për shkollat e mesme "Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe" sidomos e toskënishtes, i cili, në raporte të ndryshme ndahet në katër pjesë: fonollogjia, morfologjia, etimollogjia dhe sindaksa. Stavro Skëndo, Columbia University New York, shkruan në parathënien e ribotimit në Romë, 1972 se "Albanollogët e asaj kohe, në mes tyre dhe N. Jokli, e lëvduan veprën e Dilos pa kursim. Jokl-i bile në kritikën që i bëri librit, shkroi se ai jo vetëm që tregonte rrugën për pregatitjen e një gjuhë të përbashkët letrare…por edhe për vetë gjuhën Shqipe jep fakte fonetike dhe morfollogjike gjer më sot të paditura, si dhe sqarime të veçorivet të syndaksës tepër interesante…Sidomos e vlefshme është pjesa që merret me syndaksën."
Gramatika (dhe sintaksa brenda saj) e Sheperit, si një tekst tradite, plotësoi një nevojë të kohës për shkollat tona të mesme, duke përdorur një terminologji që mbeti, deri diku, jetëgjatë; veçse shembëllzimi i përdorur nga autori është kryesisht nga gjuha e folur, është krijim i tij dhe jo i vjelë prej shkrimtarëve shqiptarë.
Në këtë rrugë lëvrimi dhe përshkrimi të gjuhës shqipe me anë tekstesh shkollore, vendin më të rëndësishëm e zë, pa dyshim, "Sintaksi i shqipes" i A. Justin Rrotës (O.F.M.), i vitit 1942, caktuar si libër mësimi për klasat II,III,IV të shkollave të mesme. Sintaksa e J. Rrotës është ndër ato të pakëta tekste që është miratuar nga Ministria e Arsimit. Ajo mban sipër ballinës shënimin "Libër shteti për shkolla të mjesme" dhe poshtë titullit shënimi "Pranue prej Ministris s'Arsimit, me shkresa Nr.224/11, d.11-V-1942-XX"; shtypur në shtypshkronjën "A. Gj. Fishta" në Shkodër.

Duke njohur vështirësinë e kësaj ndërmarrjeje, pasi "Janë tepër shumë, tepër të vështira me u zgidhun nejet e çashtjet gjuhsore, qi do të përballojë ai qi mirret me studimin e shqipes". Nga ana tjetër, autori është entuziast në atë masë sa nuk i besohet që ai (si mjaft bashkëkohës dhe lëvrues të gjuhës) ka arritur të hartojë një tekst shkollor, prandaj u drejtohet "Kolegvet t'Arsimit": "Thue njimend, se edhe për ne do të vijë ndojherë dita, kur mund t'u qesim në dorë xanësvet tanë për mësimin e shqipes teksta shkollorë, punue kaqë bukur, kaqë metodikë e kaqë të përkryemë ? Këso dore na ipej shpesh me e pvetun vetin gjatë vjetvet kur mirreshim me mësimin e shqipes ndër shkolla të mjesme nji zyre kjo, qi ngjati afër njij të katërti qindvjeti sa herë qi me lakmi shfletojshim tekstat omonimë të do gjuhve të hueja." Dhe, duke pasur besim në forcat e gjuhëtarëve shqiptarë, ai përgjigjej: "Sigurisht, edhe na do të bahemi të zotët t'i gatojm! Por jo sod. Përpilimi i Gramatikës e Sintaksit të Shqipes flasim për tekstet definitive do të jetë një lumni e vjetvet ma të vona, ndashti e shekullit t'ardhshëm!"
Njohjen dhe liçensën për përdorim teksti shkollor të Sintaksës së J. Rrotës e bën Ministria e Arsimit e Mbretnisë Shqiptare, me një shkresë të posaçme lëshuar në 11.05.1942 (Nr. Prot. 324/11), plot etikë dhe nderim për autorin:
I NDERUESHMI
AT JUSTIN RROTA
SHKODËR
Ju njoftohet se kjo Ministri, tue marrë parasysh proponimin e Inspektoris Eprore, parashtrue me vëndimin Nr.61 dt.20/II/1942 dhe shtesë proponimin Nr.63 dt. 30/IV/1942, jep pelqimin e punimit të Juej me titullin "SINTAKSI I SHQIPES" për t'a përdorun si tekst shkolluer për shkolla të mesme të Mbretnis.
Libri në fjalë do të përdoret për klasën e II, III e IV të kursit t'ulët; por për t'a bam ma të përshtatshëm me programen zyrtare, e cila për klasën e III parashikon qi të mësohen ndryshimet djalektore, asht nevoja qi t'i bahet nji shtojcë dhe në një botim të dytë kjo shtojcë të vehet në vendin e vet përkatës. U lajmuen edhe shkolla e Mbretnis për ketë vendim.
M i n i s t r i
Dr. Dj. Korça
L.S.
Që në botimin e parë, 14 amj 1942, duke grishur Kolegët e Arsimit Shqiptar për "këshille, qortime e oroet (vërejtjet T.T.) e veta të çmueshme", që kanë për t'u pranuar gjithmonë me mirënjohje, - shkruan autori,- por "edhe kanë për të na vjeftun në gatimin e nij rishbotimi, të cilin e shpresojm t'afërm." Kështu, në hyrjen "Dy fjalë rreth këtij botimi të dytë", J. Rrota nënvizon: "Teksti kësi shtegu qe marrun nëpër dorë fund e maje. Hoqëm, shtuem e sidomos ndërruem shka e pam me rrugë qi ishte të nevojshëm për qarëtsi dhe për t'a bam ma t'ardhëshëm për të gjitha krahinat e vendi…"
Çështjen e paraqitjes dhe shtrimit të tekstit në një gegërishte (ndonëse të ngritur), autori e mbron në mënyrë teorike, në argumentin se "…fjalët e frazet autentike shqipe, gramatikisht të përpikta, për të vetmen arrësye, se nuk njihen e nuk përdoren në ndonjenin nga djalektet, me kaq do t'i dbojm nga gjuha e shkrueme, edhe do t'i vulosim me markën e djalektizmës?" Ai është i bindur se pasuria gjuhësore e përbashkët e të dy djalekteve "si këndej, si andej Shkuminit", përbën një rreth të ngushtë dhe pyet e përgjigjet njiherit: "Kështu do t'a kuptojm punimin e gjuhës letrare!…Atëhere duhet të thomi përnjimend: Na nuk dijm shka duem!" Megjithatë, autori është tolerant e bën ndryshime "…djeri ku asht qenë e mundun, për pa i ram shqelm arrësyes e parimevet të qarta" për t'i rrafshuar a hequr fare "shka mundte me u hjekë pa dam."
Rishbotimi (siç e quan autori ribotimin) përmban edhe shtojcën II "Rreth orthografis së përdorun", ku autori, në pak rregulla drejtshkrimi, ka shkrirë tri parimet e njohura gjuhësisht mbi të cilat ngrihet gjithë ortografia e një gjuhe: parimin fonetik, gramatikor dhe historik. Pikësëpari, ai shënon se ka shmangur, pothuaj krejtësisht, shenjën diakritike të hundorësisë, si për zanoret "hundore në pozicjon" (d.m.th. para bashkëtingëlloreve n, nd, mb, ng); ashtu edhe kur zanoret janë gjithnjë hundore dhe njëkohësisht të gjata, duke u mbështetur "mbi praktikën e shumë shkrimtarëve të mirë." Së dyti, u mbajt "gjithkund rregullisht përdorimi i nenit (nyjes shën.im T.T.), simbas qi e lypte rasa e gjinija përkitse". Rrota ka keq kur "ndonië çetë shkrimtarësh" nuk e marrin parasysh këtë parim e për më tepër "duen t'a pagzojn me emnin përparim a zhvillim gjuhsuer." Ai bën fjalë për përdorime të rregullta qi janë ruajtur në pjesën më të madhe të arealit shqiptar, "së cillës sigurisht i bahet nji padrejtsi e nji dhunë, po t'a ngushtojshim me e lanun tash shka ka ruejtë të paprekun, e me ndjekun shka kanë prishun për shkak të ndeshjevet me popuj të huejë, disa krahina të tokës arbnore."
Në rregulla 3, 4 ai shprehet për "hjektoren e caktueme t'emnit" (rrjedhoren e shquar shën.im.T.T.); dallon me shkrim përemrat e pakufijshëm: shumë, pakë, kaqë,aqë nga ndajfoljet omonime të sasisë, ashtu si i cakton rregulla për shkrimin e pronorëve pa nyje; drejtshkrimin e foljeve, ruajtjen e diftongjeve të rrënjëve foljore: ue,ye,ie etj. Shtesa rreth "orthografis së përdorun" e këtij botimi mbyllet me lënien hapur të problemit të shtruar, kur "për fund, po e përsrisim, shkruejmë kështu, tue pritun kohë ma të mira, të gatshëm me i ardhun vendimit të përbashkët ase auktoritar."
Lidhur me rrugën e paraqitjes së dukurive sintaksore, J. Rrota i përmbahet metodës induktive, sepse është i bindur nga ana psikologjike dhe pedagogjike që është mënyra më e mirë e dhënies së njohurive për mendjen e të rinjve. "Për qartsi, - thotë ai, - methudha e përdorun na u duk ma e mirë", duke treguar se për këtë ishte mbështetur edhe tek "auktorët ma na za ndër syntakset e veta", si: Trumblitz, Lehmann, Willomitzer-Tschinkel etj.; dhe se qe i bindur që ishte më e frutshme të kalohej nga shembujt te rregullat, duke pasur parasysh se "teksti qi paraqesim nuk asht i përshtatun fuqis mendore të fëmijëvet të njomë të Fillorevet, por xansëvet të rritëshëm Shkollavet të Mesme".
Gjuhëtari sintaksolog është i ndjeshëm ndaj reagimit të disa krijuesve letrarë që nuk qenë përfshirë me fragmente veprash si shembuj sintakse, por libri i tij, thotë ai, "nuk asht nji antologji auktorësh, a nji tekst letratyret!". Lidhur me këtë duhet shënuar se J. Rrota krijon disa pak shembuj vetë, vjelë nga folklori (si b.f. Fjalë të urta, frazeologji, sentenca a thënie), por pjesën më të madhe e ka nga shkrimtarë të njohur shqiptarë, publicistë, politikanë, etj., si: nga Gj. Fishta, N. Mjeda, V. Prenushi. E. Koloqi, F. Konica, L. Shantoja, L. Skëndo dhe Barleti-Noli.
Veçse gjithnjë është i mendimit se "shembuj të morfologjisë e të syntaksës mësuesi do të mundohet t'i nxjerri nga nji copë e mirë leximi, a ma mirë do t'i qëmtojë nga gjuha e popullit, e cila te na asht shpeshherë ma e bukur se sa gjuhë e shkrimtarvet".
Pa dyshim që në mesin e shekullit XX, kur dilte Sintaksa e J. Rrotës, ajo do të ishte patjetër nën ndikimin e logjicizmit, që ka dominuar për shekuj studimet sintaksore, sidomos modelet e gramatikave latine, por është e rëndësishme të thuhet se ky tekst mbështetet edhe në parimin formal-gramatikor për analizën e njësive sintaksore.
"Kështu, f.v., - shkruan ai, - në vend të rreshtohen si pjesë fjalijet nji varg i gjatë plotsorësh dikush mrrijti t'a çojë tash së vonit numrin djeri në 33! nuk e dijm me sa dobi praktike; në ketë metoden e marrun prej nesh për bazë, gjymtyrët e fjalis jan dam e gjithshkahja asht përshim mbrenda rrethit së 5 pjesvet të vetme, d.m.th. 2 kryegjymtyrë (subjekt e predikat) me 3 gjymtyrë të dyta (atribut, objekt e adverbjar), të cilat me u përgjegjun plotsorvet". Ky kategorizim (klasifikim) ka mbetur deri në kohët e sotme në Gramatikën normative (Sintaksën) e shqipës, dhe bash për këtë arsye, nënvizon autori, "sintaksi ynë largohet bukur mirë nga tekstat e kësaj lande të botueme mje më sot ndër ne". Ai ka bindjen shkencore se "fjalia e thjeshtë gati krejt sillet rreth sintaksit të rasavet". Duke pasë kryer formimin filozofik e filologjik në Austri, ai tregon qartë se në hartimin e këtij teksti ka pasur si modele mjaft gramatika të gjuhëve të tjera, po sidomos sintaksën e gjermanishtes, gjuhë, e cila si shqipja, e ka ruajtur fleksionin e emrit. Krahas emrit ai çmon së tepërmi edhe pasurinë e kohëve dhe të mënyrave foljore për larminë e shumësinë e fjalive të periudhës.
Nuk ka të dhëna biografike për kontaktin a njohjen që ka pasur Rrrota gjatë studimeve të larta, por në atë kohë, në të gjithë Evropën e më gjerë, qenë bërë sunduese idetë e strukturalizmit gjuhësor, si një shkollë që u themelua nga F. de Sosyri e idhtarë të mëvonshëm. Një analizë fjalie, e paraqitur si model pune për nxënësit nga autori, në faqen 53, të kujton teorinë e stemës që propozoi për herë të parë strukturalisti frëng L. Tesnier, i cili në sintaksën e tij strukturaliste (punuar me shembuj nga gjermanishtja), vinte në qendër të thënies fojlen-kallëzues. Në këtë mënyrë edhe J. Rrota, shembullin: "Nushi, djalë qytetit, kishte mbljedhun nji ditë dredhza të kuqe në prozhëm.", paraqet:
Nushi dredhza nji ditë
(kryefjalë) (kund. dr) (nd. kohet)
djalë të kuqe në prozhëm
(ndajshtim) (cillsuer mbiem) (nd.vendi)
qytetit
(cillsuer)
Gjithë kjo të kujton ndarjen e sotme sintagmatike në GE dhe GF. Ai përherë bashkon analizën logjike e gramatikore, duke e lidhur funksionin gjymtyror me kategoritë morfologjike të rasave (E1, E2, E3, E4, E5, E6) si dhe vetave foljore.
Vend të veçantë në sintaksën e Rrotës zënë funksionet e formave të pashtjelluara: paskajorja, pjesorja, përcjellorja, funksioni-fjali i emrave asnjanës prejfoljorë; fjalitë e gjymta (eliptike) etj.. Autori ka arritur të rendisë brenda sintaksës së tij kapituj të veçantë për ligjëratën e drejtë dhe të zhdrejtë, kthimin në njëra-tjetrën; të japë rregullat e vendosjes së shenjave të pikësimit (shenjat orthografike) si dhe fëtyrat (figurat) e sintaksës, që sot studiohen nga stilistika gjuhësore.
Sintaksa e Justin Rrotës është teksti më i kompletuar për këtë nivel gjuhësor që është hartuar deri në gjysmën e parë të shekullit XX, por mund të thuhet se mbetet edhe nga më të mirët deri në vitin 1955, kur shkenca jonë gjuhësore njohu hapa të tjerë zhvillimi. Ai është shkruar me gjuhë të bukur, të pasur dhe lakonike. Profesor Justin Rrota (titulluar kështu nga Universiteti i Shkodrës), ka mbetur jo vetëm autor i sintaksës së shqipes, ribotuar 60 vjet më parë, por edhe një studiues dhe tekstolog i shkëlqyer, vepra e plotë e të cilit pret të merret në dorë nga specialistë e të dalë e plotë.
Nga Prof. As. Dr. Tefë Topalli botuar në Phoenix - Bashkimi Katolik i Publicistëve Shqiptarë








All the contents on this site are copyrighted ©.