2011-02-17 16:12:55

Egjipt: vazhdon procesi i tranzicionit udhëhequr nga ushtarakët.


(17.02.2011 RV)Në Egjipt, pavarësisht thirrjes së ushtarakëve, vazhdojnë grevat. Kritika për forcat e armatosura ka shprehur edhe udhëheqësi i opozitës El Baradei, i cili thotë se bëhet fjalë për një proces trazicioni “të turbullt dhe përjashtues”. Ndërkaq dje pasdite Ministria e Shëndetit bëri të njohur numrin e të vrarëve, 365, gjatë protestave të javëve të kaluara. Kurse për fatin e ish-presidentit Mubarak, ende nuk dihet asgjë dhe lajmet nuk janë të sakta. Ditët e kaluara u pat folur për gjendje kome të presidentit Mubarak, ndërsa sipas televizionit ABC, ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Po si, po e përjeton populli egjiptian këtë periudhë tranzicioni?
Në mikrofonin tonë flet studenti i gjuhës arabe pranë Universitetit të Kajros, Marko Mazuli:

Përgjigje: Pothuajse gjithçka po kthehet si më parë. Jeta gati është kthyer në normalitet, ndonëse ndalimqarkullimi është ende në fuqi, nga mesnata deri në orën 6 të mëngjesit. Pra, nuk është ndonjë problem i madh. Por njerëzit kanë frikë se ushtarakët do të mundohen të forcojnë privilegjet e tyre pa ua vënë veshin kërkesave të popullit.

Pyetje: A mund të flitet akoma për eufori?

Përgjigje: Të them të drejtën, një gjë që kam vënë re është se kur flas me ata që janë pak më të moshuar, nuk janë edhe aq të kënaqur nga ajo që ndodhi në vend. Shumë prej tyre thonë se një president që ka qeverisur vendin për 30 vjet nuk mund të dëbohet në këtë mënyrë dhe shtojnë se problemi nuk ishte Mubaraku në vetvete, por njerëzit që e rrethonin. Ndërsa të rinjtë janë që të gjithë, shumë, shumë euforikë, ngaqë e ndjejnë se po iu jepet mundësia për të ndërtuar diçka të re. Ka, pra, shpresë të madhe.

Pyetje: Ndërsa grevat vazhdojnë apo jo?

Përgjigje: Grevat, të them të vërtetën, janë si në shtëpi të vet këtu. Kryesisht janë punëtorët e sektorit publik ata që janë në grevë, si përshembull forcat e policisë, ndoshta për ta përmirësuar sadopak imazhin e tyre, sepse gjatë ditëve të kaluara u diskredituan. Po në grevë janë hedhur edhe punonjësit e shoqërisë së gazit e të naftës ashtu sikurse edhe ata të tekstileve, të cilët kanë qenë vazhdimisht në krye të protestave, edhe në kohën përpara revolucionit anti-Mubarak. Po e çojnë zërin të gjithë ata që mund të paraqesin kërkesa me karakter ekonomik, sepse tashti bëhet fjalë vetëm për kërkesa të tilla. Por nga ana tjetër është ushtria, e cila po bën thirrje që të ndërpriten grevat pikërisht për shkak të gjendjes ekonomike tepër të veçantë që po përjeton Egjipti. Në fakt javët e kaluara humbjet ekonomike kanë qenë shumë të mëdha.

Pyetje: Po, sa marrin në muaj?

Përgjigje: Policët përshembull marrin 400 giné në muaj si rrogë bazë, që janë pak më shumë se 50 euro.

Pyetje: A i kanë frikë “Vëllezërit Myslimanë” në Egjipt?

Përgjigje: Sipas meje është një alarm i kotë. Nëse do të ketë zgjedhje demokratike dhe fushatë elektorale në vend, atëherë do të përfshihen patjetër edhe “Vëllezërit Myslimanë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.