2011-02-16 16:43:31

Në Shqipëri, i hiqet imuniteti zv.kryeministrit


(16.02.2011 RV)Kuvendi i Shqipërisë votoi sot me 128 vota pro e vetëm dy kundër, heqjen e imunitetit parlamentar për ish-zv.kryeministrin Ilir Meta. Ky i fundit u largua vetë nga detyra para një muaji, pas transmetimit të videos, ku tregohej presioni që i bënte ministrit të atëhershëm të ekonomisë Dritan Prifti për të emëruar persona të caktuar, për dhënien e koncesioneve e të tenderave, nga të cilat mund të përfitoheshin rryshfete. Ilir Meta ka mohuar gjithnjë vërtetësinë e përmbajtjes së videos, duke pretenduar se zëri nuk është i tij. Javën e ardhshme, parlamenti do të votojë edhe për heqjen e imunitetit të Dritan Priftit, pasi gjatë kontrollit të kompiuterit, iu gjet një video, në të cilin ai dhe zëvendësi i tij ndajnë një shumë prej 70 mijë eurosh, fituar me korrupsion.
Ndërkaq, qeveria i bën thirrje opozitës të mos bojkotojë parlamentin. Në një letër, që mban datën e sotme, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu i kërkon kryetares së Komisionit Parlamentar të Integrimit, socialistes Ermelinda Meksi që opozita të bashkëpunojë në përmbushjen e 12 rekomandimeve të Këshillit Evropian për integrimin e Shqipërisë në strukturat e Brukselit. “Jam e bindur se dhe ju besoni se Integrimi Evropian i Shqipërisë i kapërcen axhendat partiake dhe jam e sigurtë se bashkërendimi i përpjekjeve të përbashkëta, është i domosdoshëm për të përshpejtuar këtë proces.”- mbyll letrën e saj ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.







All the contents on this site are copyrighted ©.