2011-02-16 08:52:47

Më 16 shkurt nga kalendari përkujtohet Shën Juliana e Nikomedisë, virgjër e martire


(16.2.2011 RV)Juliana lindi rreth vitit 285 në Nikomedi, sot Izmir, në Turqi. Në familjen e saj, ishte e vetmja e krishterë. I ati i saj ishte një ithtar i zellshëm i hyjnive pagane, ndërsa e ëma ndiqte të shoqin. Sapo i kishte mbushur 9 vjetët, familja e fejoi me prefektin e qytetit, një pagan me emrin Eleuzio.
Sipas marrëveshjes ndërmjet dy familjeve, martesa do të bëhej sapo Juliana të mbushte 18 vjet. Por ku vasha e mbushi moshën e martesës, u tha prindërve se do ta pranonte burrin që kishin zgjedhur për të, vetëm në se ai do të pagëzohej.
I tërbuar nga ky ndryshim i paparashikuar i planeve, Eleuzio e paditi të fejuarën si e krishterë praktikante. Juliana e burgosën dhe e dënuam me vdekje. Po ajo nuk hoqi dorë nga feja e saj. Iu pre koka në kohën e Masimianit.
Ikonografia shpesh herë vendos pranë saj një djall, që e tundon. Por nuk mungojnë edhe ikonat, të cilat e paraqesin gjatë torturave që iu desh të pësonte sa qe gjallë për t’i qëndruar besnike Krishtit. Paraqitet kryesisht e varur për flokësh ose duke u djegur ndërmjet flakëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.