2011-02-16 17:05:47

Fillon revolta edhe në Libi


(16.02.2011 RV)Protestat antiqeveritare vazhdojnë në krejt botën arabe. Revolta arrin edhe në Libi, ku në Bengazi ka pasur ndeshje me policinë. Flitet për një të vdekur e dhjetra të plagosur. Pasdite, regjimi i Gedafit u detyrua të lirojë 110 të burgosur të Grupit Luftarak Islamik, një organizatë integraliste e jashtëligjshme në vend. Për një koment mbi gjendjen, të dëgjojmë gazetarin Kamil Eid, ekspert i vendeve arabe në gazetën kishtare italiane “Avvenire”:

Gjendja në Libi shkaktohet nga planet për të ashtuquajturën “demokraci të trashëguar”, pasi edhe Gedafi po përgatit të birin për t’ia lënë atij postin. Gjithashtu, liria e shtypit nuk ekziston, por ekzistojnë të gjitha elementet për të protestuar.
Por Libia është edhe një vend, ku vështirë të mendohet për një opozitë të organizuar kundër regjimit…
Është e vërtetë, sepse duke filluar nga partitë islamike e deri tek të majtët, apo të tjerë, persekutimi ka qenë i ashpër. Të mos harrojmë se Evropa ka qenë bashkautore e këtij persekutimi, sepse e ka përkrahur diktaturën për të siguruar qëndrueshmërinë e vendit. Për shembull, Libia është hequr nga lista e zezë e perëndimit dhe është gjetur një kompromis për çështjen Lokerbi, në këmbim të kontrollit libik mbi emigrantët klandestinë, që vijnë drejt Evropës dhe në këmbim të heqjes dorë nga programi bërthamor.
Ç’lloj revolte duhet të presim nga Libia? Mos ndoshta ka më tepër vend se në pjesën tjetër të rajonit për një protestë të udhëhequr nga Islami radikal?
Duhet të pranojmë se Vëllezërit Myslimanë, ose parti të ngjashme, janë aktive. Gjatë viteve të fundit, ka pasur protesta të ndryshme nga ana e myslimanëve. Gjatë muajve të kaluar, si gjest vullnetmirë ndaj tyre, qeveria liroi nga burgu disa eksponentë islamikë. Partitë e opozitës janë mbledhur kohët e fundit dhe kanë formuar një konferencë kombëtare. Aty bëjnë pjesë myslimanë, por jo vetëm ata. Nesër pritet një manifestim i madh, me rastin e përvjetorit të një intifade, shpërthyer në shkurt të vitit 2006. Të shohim nëse kjo do të jetë shkëndija e revoltës së përgjithshme në Libi. Duhet parë edhe sa kohë do të zgjasë, pasi një regjim si ai i Gedafit nuk ka aspak frikë të përdorë forcën ushtarake kundër aspiratave të popullit.








All the contents on this site are copyrighted ©.