2011-02-15 17:23:42

U publikua programi zyrtar i vizitës baritore të Benediktit XVI në Venedik dhe në Akuilé, 7-8 maj.


(15.02.2011 RV)“Një vizitë të gjithë njerëzve vullnetmirë.” Kështu e pati përkufizuar, para disa ditësh, në mikrofonin e Radio Vatikanit, kardinali Anxhelo Skola, vizitën baritore të Papës në Venedik, nga 7-8 majin e ardhshëm. Kësaj vizite do t’i paraprijë një ndalesë e shkurtër në Akuilé.
Sot paradite Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë konfirmoi edhe programin e hollësishëm të këtij shtegtimi.

3.500 famulli janë të impenjuara prej muajsh në zonën e Venedikut me katekizma dhe mbledhje në mënyrë që ardhja e Papës në këto toka të verilindjes së Italisë të shprehë kulmin e një përvoje shpirtërore të thellë. Papa, sikurse lexojmë në programin e vizitës, do të zbresë nga avioni rreth orës 16.15 në aeroportin e Goricies, në Friuli-Xhulia. Pas një gjysmë ore papa do të përshëndesë banorët në Pallatin e Bashkisë. Në orën 17.00 Benedikti XVI do të kryesojë Asamblenë e Kuvendit II të Akuilesë, që do të zhvillohet në katedralen e qytetit. Pas orës 18.00 Ati i Shenjtë do të niset me helikopter për në Venedik ku do të zbresë në heliportin e Kolegjit të Detarisë “Morozini”. Pasditja e Papës Racinger do të mbyllet me fjalimin e tij qytetit të Venedikut. Më pas Ati i Shenjtë do të nderojë reliket e Shën Markut të ruajtura në Bazilikën e qytetit.

Dita e 8 majit, e dielë, do të hapet me Meshën Solemne të orës 10.00 në Parkun e Shën Xhulianit të Mestres. Pas përfundimit të kremtimit eukaristik, Benedikti XVI do të kryesojë lutjen e Mbretëreshës së Qiellit. Pastaj, Papa Racinger do të shkojë me motovedetë në Sheshin e Shën Markut, në pallatin e Patrikut. Këtu Ati i Shenjtë do të kalojë drekën në shoqërinë e të gjithë ipeshkvijve të zonës së Trivenetos.
Të dendura në veprimtari do të jenë edhe çastet e fundit të vizitës së Papës në Venedik. Në orën 16.45 Benedikti XVI do të mbajë një fjalim me rastin e përfundimit të shtegtimit të tij apostolik. Më tej Papa do të niset me gondolë nga Shën Marku tek Bazilika e Shëndetit të Venedikut, ku në orën 18.00 do të takohet me botën e kulturës dhe të ekonomisë. Edhe në këtë rast Papa do t’iu flas të pranishëmve e do të vijojë me bekimin e Kishëzës së Shenjtes Trini, pas restaurimit. Do të përurojë gjithashtu edhe ambjentet e Bibliotekës së Studimeve të Përgjithshme Markiane .

Rreth orës 19.15 do të shkojë me motovedetë në selinë e Seminarit të Patriarkanës, në molin “Marko Polo”, në Tesera. Këtu në orën 19.45 aeroplani papnor do të marrë rrugën e kthimit për në Romë.
Mbi rëndësinë e këtij udhëtimi pyetëm kardinalin Anxhelo Skola, Patrik i Venedikut dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Trivenetos:
Ne e kemi sintetizuar në parrullën “Ti na përforco në fe”, pra i kërkojmë Atit të Shenjtë, që në sajë të shërbimit të tij si Pasardhës i Shën Pjetrit dhe në sajë të forcës së dëshmisë, të na mbështesë në fe në këtë çast tranzicioni, të mbështesë këndvështrimin e krishterë mbi jetën, i cili u lejon burrave e grave të Verilindjes italiane të përballojnë gjërat e përditshme me atë intensitet, që vjen nga mundësia për të ndjekur Jezusin. Këtë i kemi kërkuar Papës e tani jemi në pritje e të mobilizuar: do të presim atë dhe fjalën e tij, të sigurtë se Pasardhësi i Shën Pjetrit vjen për të na përforcuar në fe. Ashtu si pati theksuar Krishti: “Ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu”. Ne akoma e mbajmë gjallë fenë në anët tona, por jemi si dishepujt, që i thanë Jezusit: “Zot, ne besojmë, por na e shto fenë”. Të kesh fe do të thotë të përballosh në një mënyrë të caktuar jetën, të dashurit, punën e pushimin; do të thotë të dëshmosh, ta bësh të dukshme përmes jetës së shndërruar nga Krishti, se edhe për njeriun bashkëkohor është mirë e bukur ta ndjekë Jezusin me thjeshtësi në zemër, që të jemi të gjithë të lirë e me dinjitet.







All the contents on this site are copyrighted ©.