At Lorenc Mazrreku ofm, martir i fesë dhe i kombit, në përvjetorin e vrasjes.
Duke shfletuar kalendarin historik, më 15 shkurt përkujtojmë Atë Lorenc Mazreku (Mitroviq),
françeskan shqiptar, në 68 vjetorin e vrasjes së tij. Atë Lorenc Mazreku (Mitroviç),
martir i Fesë dhe i Kombit, lindi më 5 mars 1872 në Janjevë afër Prishtinës, në dioqezën
e Prizren- Shkupit, në familjen e Antonit e Anastasisë Glasnoviq. Posa kreu kolegjin
françeskan të Troshanit, shkoi në Bosnjë për të vijuar studimet për filozofi e teologji.
Atje edhe u diplomua. Zhgunin e Shën Françeskut e veshi më 28 gusht 1886; kushtet
e përkohshme i bëri më 12 prill 1888, ndërsa Meshën e parë e çoi më 7 korrik 1894,
për të filluar më 1895 shërbimin si famullitar në Pejë. Më 1897 e gjejmë në Zllakuqan,
ku ndërtoi kishën; më 1902 ndërtoi kishën dhe selinë kishtare të Pejës. Pak kohë më
pas e gjejmë në Shkodër, si i pari guardian shqiptar i Kuvendit të Fretërve në Gjuhadol.
Këtu punoi shumë për të kryer punimet e kishës françeskane të Gjuhadolit. Në veprën
me vlera të mëdha të Atë Donat Kurtit "Provinça Françeskane Shqiptare"1 për veprimtarinë
e Atë Lorencit në ndërtimin e Kishës së Gjuhadolit, shkruhet: mes shumë veprimtarive
Atë Lorenc Mazreku “ më 1906 qe sekretari i Atë Pal Dodajt, provinçalit të parë shqiptar
të provinçës së Zojës Nunciatë. Si sekretar, hartoi nekrologun e provinçës. Më 1909
u zgjodh Kustod i Provinçës dhe famullitar i Bajzës, ku themeloi Urdhërin e Tretë
të Shën Françeskut. Më 1920 shërbeu përsëri si famullitar i Pejës në Kosovë ku,
më 1942, themeloi Shoqninë Antoniane për edukimin e rinisë. Aty e gjetën edhe gjermanët
kur, gjatë Luftës II Botërore, hynë në Pejë. Me ndërmjetësim të tij, në këtë periudhë
shpëtuan nga djegia dy kisha ortodokse: ajo e patriarkanës së Pejës dhe e Deçanit
e, ajo që ka më tepër rëndësi, u shmang rreziku real i luftës ndërmjet myslimanëve
e ortodoksëve; ndërmjet shqiptarëve e malazezëve dhe serbëve. Edhe shenjtërorja e
Shëna Ndout në Gjakovë u ndërtua nën kujdesin e tij”. Atë Lorenc Mazreku u dallua
për zell e përkushtim fetar e kombëtar, për pasurimin e Kishave me shtatore të reja
shenjtorësh e orendi të tjera. Kudo që shërbeu, u mësoi fëmijëve të shkruanin e të
lexonin gjuhën shqipe. Si pasojë e një veprimtarie të tillë, fitoi dashurinë e respektin
e popullit, të cilit i shërbente, e njëkohësisht urrejtjen e armiqve të Kishës e të
Kombit. Në jetëshkrimin e tij të shkurtër, sipas dokumenteve të Urdhrit të Fretërve
të Vegjël, Atë Lorenci u vra nga serbët në rrugën ndërmjet Gjakovës e Pejës më 15
shkurt të vitit 1943. (Nga Atë Donat Kurti, "Provinça Françeskane Shqiptare", Botime
françeskane Shkodër 2003, fq. 31).