Në Egjipt, i rëndësishëm roli i ushtarakëve. Nuk dihet fati i Mubarakut.
(14.02.2011 RV)Në Egjipt, pas dorëheqjes së presidentit Hosni Mubarak, ka filluar
një fazë e re politike. Është formuar një komision për të ndryshuar Kushtetutën dhe
Këshilli i Lartë i Forcave të Armatosura ka shpërndarë parlamentin. Vendi përfaqësohet
nga mareshalli Husein Tantaui. Periudha e tranzicionit duhet të çojë drejt zgjedhjeve,
parashikuar për shtator. Ndërkaq, nuk dihet fati i ish-presidentit. Dikush thotë se
është në Sharm El Sheik, dikush shkruan në gazetat lokale se është në koma, i shtruar
në spital në Gjermani. Gjithsesi, Brukseli ka bërë të ditur se është gati të bllokojë
të gjitha pasuritë e Hosni Mubarakut dhe të familjes së tij jashtë Egjiptit. Por,
ç’pasoja do të kenë për bashkësinë e krishterë egjiptiane, ndryshimet e fundit? Të
dëgjojmë prefektin e Kongregatës për Kishat Lindore, kardinal Leonardo Sandri: Këto
ndryshime mund të sjellin vështirësi, por mund edhe të çojnë drejt situatave të reja,
akoma jo të përcaktuara, që sjellin shpresë për popullin e për kombin. Kisha kopte
ortodokse ka rreth 8-10 milion besimtarë, ndërsa Kisha jonë katolike kopte përfaqëson
një pakicë të vogël, me 200-250 mijë besimtarë. Vetë Ati i Shenjtë ka dashur ta nderojë
këtë Kishë, duke emëruar kardinal, patrikun Naguib. Për Kishën kopte, si ortodokse,
ashtu edhe katolike, këto ndryshime kanë rëndësi të madhe, pasi u japin mundësi të
thonë fjalën e tyre si të krishterë, me shpresën se gjithçka ndodh do t’i çojë drejt
qetësisë, bashkëjetesës, kërkimit të së mirës së përbashkët për të gjithë egjiptianët.
Mund të ndërtohet kështu, një shoqëri më e denjë për njeriun, më e drejtë, që t’u
japë të gjithëve mundësinë për të marrë pjesë në jetën publike.