Me 14 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shën Valentinin, martir
(14.02.2011 RV)Emri i Shën Valentinit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar
të Kishës së shekujve V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data
e vdekjes së Shenjtit, përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona
të natës dhe varrosja. Tekste të tjera e përmendin Shën Valentinin që në vitin
197, si qytetar e ipeshkëv i Ternit e, sidomos, si njeri i famshëm për shenjtërinë
e jetës, për bamirësinë e përvujtërinë, për apostullimin e zellshëm e për mrekullitë.
U burgos nën Aurelianin Perandor dhe iu pre koka në Romë. Ishte data 14 shkurt 273.
Trupi iu mbart në Terni, ku ndodhen edhe sot e kësaj dite reliket e tij. Shenjti
nderohet si pajtor i të dashuruarve. Pse? Festa e ipeshkvit e martirit Valentin
lidhet me festimet e lashta greke, italike e romake, që organizoheshin për nder të
zotave paganë Panit, Faunit e Luperkut. Këto festime lidheshin me pastrimin e arave
dhe ritet e pjellorisë. Me që nisen të bëheshin tepër të çthurura, qenë ndaluar nga
Augusti dhe Gelasi. Kisha i kristianizoi këto rite pagane dhe e njohu Shenjtin
si mbrojtës i të fejuarve e të dashuruarve, në prag të bashkimit me kurorën e martesës
e të lindjes së fëmijëve. Sipas legjendës, Shenjti martir, dashurues i trëndafilave,
ua dhuronte këto lule erëmira çifteve të fejuara për t'u uruar bashkim të lumtur.
Prej këndej festa e Shën Valentinit është përplot me aromën e trëndafilave, simbol
i dashurisë ndërmjet burrit e gruas. Vetë Zoti është dashuri. Në dashuri gjinden
paqja, bashkimi i familjes dhe i mbarë njerëzimit.