2011-02-14 18:27:02

Lotsjellës e arrestime në Teheran, gjatë protestës së opozitës iraniane


(14.02.2011 RV)Shpërthen revolta edhe në Iran. Protesta e sotme e opozitës u shpërnda me gaz lotsjellës, pas ndeshjeve të ashpra me policinë. Qendra e Teheranit u mbush me mijëra vetë, që manifestonin në mbështetje të revoltave të Egjiptit e të Tunizisë. Protesta e paautorizuar është e para, pas asaj të dhjetorit 2009, në të cilën u vranë tetë vetë. “Vdekje diktatorit” qe parrulla e hedhur kundër presidentit Mahmud Ahmadinexhad. Manifestimi është provë e rëndësishme për të matur forcat e opozitës reformiste.
Në sheshet më të mëdha të kryeqytetit janë rreshtuar policë të forcave speciale, armatosur edhe me shkopinj, mjete rasti e madje edhe me kuti boje. Në zonën e manifestimit, janë ndërprerë lidhjet me telefon celular e Departamenti amerikan i shtetit u dërgon protestuesve mesazhe me rrjetin e internetit “Twitter”. Forcat e rendit mbajnë të rrethuar shtëpitë e krerëve të opozitës Mirhosein Musavì dhe Mehdi Karrubi. Sinjalizohen manifestime edhe në Isfahan e në Shiraz.








All the contents on this site are copyrighted ©.