Kisha kremtoi Shenjtorët Çirili e Metodi. Fjalët e Papës: ungjillëzues të palodhur,
nga të cilët duhet të frymëzohet Evropa e sotme.
(14.02.2011 RV)Kisha kremtoi sot Shenjtorët Çirili e Metodi, apostuj të Lindjes
së krishterë, bashkëpajtorë të Evropës. Dy vëllezërve selanikas, Benedikti XVI u ka
kushtuar katekizmin në audiencën e përgjithshme të 17 qershorit 2009, si dhe disa
reflektime, posaçërisht në audiencat e përvitshme me delegacionet bullgare e maqedonase,
ditën e festës së shenjtorëve. Të dëgjojmë disa nga mendimet e Papës për Shenjtorët
Çirili e Metodi:
Të ndiqet shembulli i Shenjtorëve Çirili e Metodi, ungjillëzues
të palodhur e pararendës të inkulturimit të Ungjillit. Është kjo nxitja e Papës Benedikti
XVI, i cili e ka ftuar disa herë Evropën, e posaçërisht popujt sllavë, t’i japin gjallëri
të re rrënjëve të krishtera të Kontinentit të Vjetër. Papa vë theksin mbi misionin
përtëritës të vëllezërve selanikas të cilët, 1200 vjet më parë, e kumtuan Lajmin e
mirë, duke e paraqitur me fjalë që i kuptonin plotësisht popujt e Moravisë së Madhe,
sepse e përkthyen Shkrimin Shenjt në gjuhët sllave: “Çirili e Metodi ishin
të bindur që popujt nuk mund të mendonin se e kishin përvetësuar plotësisht Zbulesën,
në se nuk do ta dëgjonin në gjuhën e tyre e nuk do ta lexonin me shkronjat e alfabetit
të tyre “(Audienca e përgjithshme, 17 qershor 2009)”. Papa ndalohet
tek metoda që ndoqën Shenjtorët Vëllezër e nënvizon se ata arritën të frymëzonin
e të përhapnin parimet e inkulturimit të Ungjillit, posaçërisht duke i përmbledhur
dogmat e krishtera në libra të shkruar në gjuhët sllave: “Në fakt Çirili
e Metodi përbëjnë një shembull klasik të asaj, që sot njihet me termin ‘inkulturim”:
çdo popull duhet t’ia përshtasë kulturës së vet mesazhin e zbuluar e t’i shprehë të
vërtetat shëlbuese me gjuhën e vet. Kjo kërkon një punë shumë impenjative për përkthimin,
sepse duhen gjetur termat e përshtatshme për ta propozuar, pa e tradhtuar, pasurinë
e Fjalës së zbuluar”(Audienca e përgjithshme , 17 qershor 2009). E
kjo që na dhanë Shenjtorët, vijon Papa, është dëshmi shumë e rëndësishme edhe për
Kishën e sotme, e cila vijon të frymëzohet nga veprimtaria e tyre. E më pas, Benedikti
XVI pohon se ajo që i frymëzoi dy ungjillëzuesit, të cilëve iu desh të përballonin
vuajtje, mungesa e armiqësi, ishte shpresa e pamposhtur në Zotin. Shpresë që edhe
sot e kësaj dite jep frytet e veta në Bullgari: “Përmes një veprimtarie të
palodhshme ungjillëzuese, të aktualizuar me zell të vërtetë apostolik, shenjtorët
Çirili e Metodi e rrënjosën providencialisht krishterimin në shpirtin e popullit bullgar,
kështu që ai u lidh pazgjidhshmërisht me këto vlera ungjillore, të cilat fuqizojnë
gjithnjë identitetin e pasurojnë kulturën e një kombi” (Audiencë delegacionit
bullgar, 22 maj 2010). Posaçërisht e lidhur me Shenjtorët Çirili
e Metodi është edhe Maqedonia, së cilës Papa i kërkon ta ruajë trashëgiminë shpirtërore
të Shenjtorëve të vet Pajtorë: “Këta Shenjtorë Bashkë-Pajtorë të Evropës,
të cilëve ju, me të drejtë të plotë, u luteni, hapën një shteg njerëzor e shpirtëror,
që e bën Tokën tonë vend takimi ndërmjet kërkesave të ndryshme kulturore e fetare.
Larmia paqësore e dëshirave të popujve që e banojnë, projekton mbi Kontinentin evropian
një skenar ballafaqimi faktik e pjellor, të cilin Selia e Shenjtë e shikon me dashamirësi”(Audiencë
me delegacionin maqedonas, 24 maj 2007). Shenjtorët Çirili e Metodi, pohon
Papa, duhet t’i inkurajojnë të krishterët e Evropës, t’i ruajnë e t’i fuqizojnë lidhjet
ndërmjet Ungjillit dhe identiteteve përkatëse kulturore:“Ashtu si dishepujt
e Zotit, duke respektuar reciprokisht traditat e ndryshme kishtare, jemi të thirrur
të japim dëshminë e përbashkët të fesë sonë në Jezusin, në emër të të cilit fitojmë
shëlbimin”(Audiencë me delegacionin bullgar, 22 maj 2010).