2011-02-14 14:56:25

Filloi takimi vjetor i koordinatorëve rajonalë të Baritorisë së Detit


(14.02.2011 RV)Pikërisht në një çast të vështirë për emigrantët që vijnë përmes detit në Evropë, duke ikur nga konfliktet e problemet, që kohët e fundit kanë përfshirë bregun jugor të Mesdheut, fillon në Vatikan takimi i koordinatorëve rajonalë të Baritorisë së Detit, organizuar nga Këshilli Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve. Mbledhja, e kryesuar nga kreu i dikasterit, imzot Antonio Maria Veliò, do të përfundojë të mërkurën. Por ç’është Vepra e Baritorisë së Detit? Të dëgjojmë vetë imzot Veliònë, në mikrofonin tonë:

Pikë së pari, dua të kujtoj se vitin e kaluar kemi festuar 90-vjetorin e Veprës së Baritorisë së Detit, e cila u themelua më 4 tetor 1920 në Glasgou të Skocisë, nga një grup i vogël njerëzish të përkushtuar e altruistë, për të ndihmuar detarët. Ky rast, na dha mundësinë të theksojmë dy aspekte të rëndësishme edhe për të ardhmen. Së pari, përfshirja e një numri gjithnjë e më të madh laikësh, të cilët mund të venë në dispozicion kohën dhe aftësitë e tyre për të bashkëpunuar me Qendrat “Stella Maris”. Kjo motivohet me gjendjen aktuale, që karakterizohet nga zvogëlimi i numrit të personave të shuguruar të impenjuar drejtpërdrejt në këtë shërbim. Aspekti i dytë ka të bëjë me lutjen, e cila i mbështet kapelanët dhe vullnetarët, duke u dhënë forcën e duhur për të përballuar vështirësitë e sfidat e ndryshimit të botës së detit.
Cilat janë temat kryesore të takimit të Baritorisë së Detit?
Në plan të parë do të jetë akoma fenomeni i rëndë i piraterisë, dalë sërish në pah këtyre ditëve, me sekuestrimin e një naftëmbajtëseje italiane në bregun e Omanit. 22 persona në bord, prej të cilëve 5 italianë e 17 indianë. Baritoria e Detit shqetësohet sidomos për anëtarët e ekuipazhit dhe për pasojat psikologjike që mund të ketë një përvojë e tillë mbi ta e familjet e tyre. Kemi ftuar komandantin e përgjithshëm të Kapitenerive të Portit dhe të Rojes Detare Italiane që të na ndihmojë të kuptojmë se ç’mund të bëjnë Qendrat “Stella Maris” në këto rrethana. Pastaj do të flitet edhe për problemet, që vijnë nga rritja e numrit të zjarreve, për shkak të faktorit njerëzor. Detarët akuzohen shpesh si autorë e mbahen në burg me muaj, edhe padrejtësisht. Edhe në këtë rast, ne i mbështesim personat nga pikëpamja shpirtërore, materiale e psikologjike.
Cilat janë rajonet që mbulohen nga Vepra e Baritorisë së Detit e ç’rezultate ka puna juaj?
8 rajonet ku është e pranishme Baritoria e Detit janë: Amerika e Veriut, Amerika Latine, Evropa, Afrika Atlantike, Oqeani Indian, Azia Juglindore, Azia Jugore dhe Oqeania. Pavarësisht nga vështirësitë ekonomike, shkaktuar nga kriza e nga zvogëlimi i fondeve, që vijnë nga agjensi të ndryshme bamirëse, Vepra e Baritorisë së Detit ka arritur të hapë tri qendra të reja “Stella Maris” në tri kontinente: në Afrikën e Jugut, në Gjirin Saldahna, në Brazil, në Rio Grande dhe në Tajvan, në Taiçung. Janë shenja konkrete të impenjimit të ipeshkvijve, kapelanëve dhe vullnetarëve, të cilët përpiqen t’u qëndrojnë gjithnjë e më afër detarëve e t’u japin përgjigje nevojave të tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.