2011-02-14 18:43:22

Benedikti XVI: Priftërinjtë nuk duhet të jetojnë më vete, të ndarë nga të tjerët.


(14.02.2011 RV)“Priftërinjtë nuk duhet të jetojnë të veçuar, por mundësisht, në bashkësi. Të jetosh me të tjerët, do të thotë të pranosh nevojën e kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit e, posaçërisht, bukurinë e jetës mes vëllezërve”. Këtë pohoi Papa, duke shpjeguar se meshtarët duhet të rrinë më parë me Jezusin, që të munden, pastaj, të rrinë edhe me të tjerët, me vëllezërit. Në shoqëri me Jezusin e me vëllezërit, çdo meshtar mund të gjejë energjitë e nevojshme që të kujdeset për njerëzit e t’i ndihmojë në plotësimin e nevojave shpirtërore e materiale.
Këto fjalë Bendikti XVI ua drejtoi pjesëmarrësve në asamblenë e përgjithshme të Vëllazërisë meshtarake misionare të Shën Karl Borromeos, të cilët i priti në audiencë me rastin e 25 vjetorit të themelimit të bashkësisë. Misionarët shoqëroheshin nga kryetari i tyre, don Hulian Karron dhe nga kryeipeshkvi i katedrales katolike moskovite “Nëna e Hyjit”, imzot Paolo Peci.
Papa Racinger kujtoi se meshtaria e krishterë nuk është qëllim në vetvete. E deshi vetë Jezusi, në shërbim të lindjes e të jetës së Kishës. Edhe meshtaria, ashtu si e gjithë Kisha, ka nevojë për përtëritje të përhershme, duke gjetur në jetën e Jezusit format më thelbësore të qenies së vet. Elementet, nga të cilat prifti katolik nuk mund e nuk duhet të heqë dorë kurrë, për Papën janë edukimi i thellë për meditim e lutje, studimi i teologjisë, që krijon kushtet për takimin me të vërtetat e krishtera, në formën e një sinteze, lidhur ngushtësisht me jetën e njeriut e të bashkësisë. Nuk mund të provohet forca përtëritëse e jetesës së përbashkët, u kujtoi Benedikti XVI priftërinjve, pa lutjen, pa ndjekjen e përvojës dhe të mësimeve të shenjtorëve, pa jetën sakramentore, të jetuar me besnikëri të plotë.
Ndërmjet urgjencave të çastit aktual, Papa Racinger nënvizoi numrin e pamjaftueshëm të meshtarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.