Atë Marin Sirdani, françeskan e studiues i historisë, në përvjetorin e vdekjes
Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë Atë Marin Sirdanin, françeskan e studiues
i madh i historisë, në përvjetorin e vdekjes. Atë Marin Sirdani lindi më 15
janar 1885 në Guci, studioi në kolegjin Françeskan në qytetin e Shkodrës. Studimet
filozofike e teologjike i kreu në Vjenë, kohë kur Atë Marini studioi së shumti edhe
historinë, lëndë me të cilën do të merrej për gjatë tërë jetës së tij. Më 1909 do
të kthehej në Shqipëri, ku do të vijonte misionin e tij meshtarak në bashkësi të
ndryshme kishtare famullitare si në Kthellë, Pishkash, Bazë-afër Burrelit e Matit,
kohë e zona të cilat ai do t’i shfrytëzonte për botimin pak vite ma vonë të veprës
“Skenderbeu simbas gojëdhanave”. Vepër kjo e cila plotësonte boshllëqet e detajet
për të cilat e kishte porositur françeskani i jashtëzakonshëm Atë ,mbi
gjithë traditën popullore, toponomastikën dhe legjendat mbi Heroin Kombëtar Gjergj
Kastriotin Skënderbeun. Atë Marini nga Pishkashi transferohet me mision meshtarak
si mësues në Troshan. Mbas Luftës së Parë Botërore fillon aktivitetin si shkrimtar
e historian. Në vitin 1922 e thërrasin në Shkodër, pranë Kolegjit Françeskan, ku bashkë
me Atë Gjergj Fishtën e Imzot e shumë intelektualë të shquar të Shkodrës, çelin të
parin lice me cikël të plotë me emrin “Illyricum”. Atë Marini jepte aty Histori dhe
Doktrinë të Krishterë; në të njëjtën kohë u bë strumbullari i një rrethi intelektualësh
të rinj të fushave të ndryshme shkodranë. Profesori i ditur pas pak kohe u emërua
Drejtor i Gjimnazit. Ndërkohë shkruan veprat "Skenderbegu mbas gojdhanash" më 1926
(kryevepra e tij, ku përmblodhi mbetjet e fundit të kujtimeve popullore arbnore për
heroin e Kombit), "Për historinë kombëtare", monografia "Shqypnija e Shqyptarët"
më 1941, "Vepra kombëtare e Françeskanëve", si dhe legjenda që sot janë në thesarin
e kësaj fushe në revistat “” e “Leka”, ashtu edhe në shumë gazeta të kohës,
pse ai kishte aftësinë e rrallë të komunikonte me të gjitha shtresat, ashtu edhe me
intelektualë të prejardhjeve të ndryshme krahinore e fetare. Në kohën kur qe bërë
Epror (Guardian) i Kuvendit të Françeskanëve në Lagjen Arra e Madhe në Shkodër, dëshmoi
interesim të jashtëzakonshëm e aftësi po të tilla në komunikimin me të rinjtë duke
treguar interesim e bërë deri sakrifica, që më se një herë i shkaktuan edhe telashe,
për arsimimin dhe edukimin e të rinjve. Mbi rolin e vlerave të Atë Marin Sirdanit
si edukator më së miri rrëfejnë fjalët e Atë Gjergj Fishtës: “Rinia e Shkodrës nuk
e di ende ç’personalitet i shquem gjendet në mes tyne”. Veprave të përmendura të
Atë Marin Sirdanit i shtojmë "Historija e provincës françeskane në Shqipëri" si dhe
mjaft shkrime e vepra tjera botuar në "Hyllin e Dritës" si përshembull "Për çka fajësohet
Skënderbegu, Kontributi i katolikëve në Shqipëri, Nora e Kelmendit,Varri i Skënderbeut
si dhe botime mbi çështje të tjera . Atë Zef Pllumi pohonte se janë afër 5 apo 6 vëllime
gati për t’u botuar me këto shkrime të Atë Marinit mbi çështje të rëndësishme kombëtare
e kishtare të shqiptarëve. Atë Marin Sirdani pësoi edhe përndjekje të ashpër,
u burgos për dy vjet vetëm pse ishte françeskan e prift i Kishës katolike. Vdiq
më 14 shkurt në vitin 1962 në Shkodër pranë Kuvendi françeskan te Arra e Madhe,
pesë vjet para se feja të ndalohet në Shqipëri, e kujtojmë se ishte vëllai i folkloristit,
etnografit e martirit të krishterë në Shqipëri, dom Aleksandër Sirdanit. Po
mbi figurën e veprën e françeskanit studiues të historisë së kombit e të kishës shqiptare,
të dëgjojmë Agron Gjekmarkajn nga Tirana.....00:03:22:42