2011-02-13 14:32:41

Shenjtorët e Javës së ardhshme 13 - 20 shkurt


Sot më 13 shkurt Kisha katolike kremton të Dielën e gjashtë të Kohës gjatë vitit kishtar e po sot kalendari liturgji përkujton të Lumit Jordani i Saksonisë, meshtar dominikan. Na kujton porosinë e Krishtit: “Ruhuni nga tharmi i farizejve dhe i Herodit!”. E kjo do të thotë se njeriu i drejtë, larg çdo hipokrizie e servilizmi, nuk lakmon pasuri: i mjafton ‘Buka e Zotit’, që është vetë Jezu Krishti. Në historinë e Kishës të gjitha veprat e mëdha nisin nga përvujtëria e vogëlsia e njerëzve fare të papërfilluar nga bota, por tepër të pëlqyer nga Zoti.
Të hënën më 14 shkurt, kalendari Kishtar përkujton Shën Çirilin, murg e Shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë të Evropës si dhe Shën Valentinin, ipeshkëv e martir.
Shembulli i jetës së tyre na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti përmes nxënësve të tij, të cilët në rrjedhë shekujsh venë në jetë porosinë e Krishtit: “Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”. E Pajtorët e Evropës, që Kisha do t’i kremtojë më 14 shkurt, qenë pionierë të inkulturimit, përmes të cilit krijohen kushtet që feja të rrënjoset në çdo kulturë.
Të martën më 15 shkurt, do të kremtohet festa e Shën Onezimit, nxënës i Shën Palit, dhe Shën Faustinit e Shën Gjovitës, martirë. Këta na kujtojnë se mbarë popujt e tokës do t’i shërbejnë Zotit, por edhe se nuk është aspak e lehtë të ecësh gjithnjë në dritën e Atij të Lumit. Na e vërteton Shën Pjetrit, i cili ishte tepër i kënaqur që mundi të shpallë se Jezusi ishte Krishti, në sa nuk donte ta pranonte se vullneti i Zotit ishte që Biri i njeriut të vuante e të vdiste në kryq.
Të mërkurën e ardhshme më 16 shkurt do të kremtohet Shën Gjyliana, virgjër e martire. Liturgjia e festës së Shenjtores na kujton se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.
Po të enjten më 17 shkurt, kalendari Kishtar përkujton edhe Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri. Këta kujtojnë se për të kundruar fytyrën e lumnueshme të Jezusit, sytë tanë duhet të jenë të kthjelltë e të lirë, të pa mjegulluar nga pasionet kalimtare. Por edhe kur nuk mund ta kundrojmë lumninë e tij, mund t’ia dëgjojmë fjalën e ta ndjekim pas në udhën e kryqit e të ringjalljes.
Të premten më 18 shkurt do të përkujtohet i Lumi Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, meshtar domenikan. Festa e tij na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.
Të shtunën më 19 shkurt, do të kremtojë Shën Konrrad Konfalonierin. Ky vetmitar françeskan na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.
Të dielën e ardhshme me 20 shkurt Kisha kremton të dielën e 7-të gjatë vitit e po këtë ditë kalendari liturgjik përkujton edhe festën e Shën Leonit të Katanies, ipeshkëv e Shën Eleuterit. Liturgjia na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve, na kujtojnë se nxënësit e Krishtit nuk duan të besojnë se po afrohen mundimet e Zotit; përkundrazi, duan ta shikojnë Jezusin në lartësinë e një prijësi të madh politik, që çliron, që sundon. Po Mësuesi Hyjnor u kujton shkallën e re të vlerave.







All the contents on this site are copyrighted ©.