Radio Vatikani feston 80 vjetorin e ditëlindjes. Atë Lombardi: 80 vjet teknikë e mision
Lindur më 12 shkurt 1931, Radio Vatikani kaloi jo më larg se dje pragun e 80 vjetëve.
Por Radioja e Papës nuk ndihet aspak e moshuar e shikon përpara drejt objektivave
të reja. Të premten, në Muzetë e Vatikanit, u paraqitën aktivitetet, që do të
zhvillohen për të kremtuar këtë përvjetor. Po të premten, u përurua edhe një ekspozitë
mbi Radio Vatikanin, në hyrje të Muzeve. Kujtojmë se 12 shkurti i vitit 1931 ishte
ditë e enjte. Radioja hapi programet me radiomesazhin e parë në latinisht të Papës
Piu XI, në praninë e Guljelmo Markonit, shpikësit të famshëm, që realizoi stacionin
radiofonik për Vatikanin, si edhe të atë Xhuzepe Xhanfrançeski, jezuit, drejtori i
parë i Emitentes sonë. Këtij argumenti ia kushton komentin javor zëdhënësi i Vatikanit,
atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë: “Shpikjet e mia janë për ta shpëtuar njerëzimin,
jo për ta shkatërruar!”. Këto fjalë të Guljelmo Markonit, shkencëtarit të madh, shpikësit
të radios, qenë edhe motoja e tij. Fakti që përmes radios mund të shpëtoheshin shumë
jetë njerëzish, kur fundoseshin anije të mëdha, ishte një nga meritat e para humanitare,
që iu njohën atij e për të cilën krenohej me të drejtë. 80 vjet më parë,
Papa Piu XI përuronte Radio Vatikanin, ngritur pikërisht nga Markoni si mjet i ri
në dispozicion të misionit të Kishës. Ndoshta jo shumë nga realizimet markoniane kanë
mundur të zbatojnë në praktikë, kaq sistematikisht sa radioja, idealin e shkencëtarit.
Transmetimi i radiomesazheve të rëndësishme të Papëve për paqen në një botë të përshkuar
dramatikisht nga lufta ose nga era e luftës, si në kohën e Papës Piu XI, të Piut XII
e të Gjonit XXIII. Trasnmetimi i qindra mijëra mesazheve të familjeve për të burgosurit
e të zhdukurit e luftës. Mbështetja dhe përkrahja e popujve dhe e kishave të shtypura
nga totalitarizmi në anë të ndryshme të botës. Amplifikimi i fjalëve të shpresës së
Papëve udhëtarë përmes kontinenteve, për popuj nga më të ndryshmit. Ngritja e vazhdueshme
e zërit për vlerat e shpirtit, për aktualitetin e Ungjillit të Krishtit, për arritjen
e drejtësisë e të paqes, për dialogun ndërmjet konfesioneve të krishtera, kulturave,
feve, popujve. Ç’mision më të bukur do të kishte dëshiruar Markoni për shpikjen
e tij? E ne sot duhet të vazhdojmë të përdorim teknikën më të re për këto qëllime.
A e bëjmë sa duhet? Shpikjet e gjenialitetit njerëzor përdoren për ta shpëtuar njerëzimin,
apo për ta shkatërruar atë?”