Papa do të shkojë në Akuilea e në Venedik. Me ne kardinal Skola
U paraqit të enjten me një konferencë për shtyp në Xelarino, kryeqendra e rrethit
të Venedikut, vizita e Papës, më 7 e 8 maj, në dy dioqeza të verilindjes italiane:
Akuilea dhe Venediku. Mbi rëndësinë e këtij udhëtimi pyetëm kardinalin Anxhelo Skola,
Patrik i Venedikut dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Trivenetos: Ne
e kemi sintetizuar në parrullën “Ti na përforco në fe”, pra i kërkojmë Atit të Shenjtë,
që në sajë të shërbimit të tij si Pasardhës i Shën Pjetrit dhe në sajë të forcës së
dëshmisë, të na mbështesë në fe në këtë çast tranzicioni, të mbështesë këndvështrimin
e krishterë mbi jetën, i cili u lejon burrave e grave të Verilindjes italiane të përballojnë
gjërat e përditshme me atë intensitet, që vjen nga mundësia për të ndjekur Jezusin.
Këtë i kemi kërkuar Papës e tani jemi në pritje e të mobilizuar: do të presim atë
dhe fjalën e tij, të sigurtë se Pasardhësi i Shën Pjetrit vjen për të na përforcuar
në fe. Ashtu si pati theksuar Krishti: “Ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e
tu”. Ne akoma e mbajmë gjallë fenë në anët tona, por jemi si dishepujt, që i thanë
Jezusit: “Zot, ne besojmë, por na e shto fenë”. Të kesh fe do të thotë të përballosh
në një mënyrë të caktuar jetën, të dashurit, punën e pushimin; do të thotë të dëshmosh,
ta bësh të dukshme përmes jetës së shndërruar nga Krishti, se edhe për njeriun bashkëkohor
është mirë e bukur ta ndjekë Jezusin me thjeshtësi në zemër, që të jemi të gjithë
të lirë e me dinjitet.