Më 13 shkurt kalendari Kishtar përkujton shenjtoret Foska e Maura, martire.
Nga historia e martirizimit të dy shenjtoreve, mësojmë se Foska, e lindur në një familje
pagane në Ravenë, kur mbushi 15 vjeç ndjeu thirrjen për t’u kthyer në fenë e krishterë.
Bisedoi për këtë me mëndeshën e saj, Maurën dhe shkuan së bashku tek prifti Ermolao,
që e përgatiti vajzën dhe e pagëzoi. I ati, Siroi, u mundua më kot ta rikthente në
fenë e të parëve. U padit menjëherë tek prefekti Kuinziani, por ushtarët që shkuan
ta kapnin, nuk ia dolën manesh, sepse mbrohej nga një engjëll. Atëherë Foska dhe Maura
u paraqiten vullnetarisht para Kuincianit, që urdhëroi t’i nxirrnin para gjyqit, t’i
torturonin mizorisht e pastaj, më 13 shkurt, t’ua prisnin kokat. Kokat e prera,
të flakura në det, u rrëmbyen nga detarët dhe u mbartën në Tripolitani, ku u varrosën
në shpellat pranë Sabrathës (Sakratha e sotme). Shumë vjet më vonë, pasi zona u pushtua
nga arabët, një i krishterë me emrin Vitale, i shtyrë nga frymëzimi hyjnor, i solli
përsëri reliket e shenjtoreve në Itali, në ishullin Torçelo të lagunës venete, ku
për nder të dy martireve u ngrit një kishë. Në historinë e martirizimit të tyre
nuk ka të dhëna kronologjike, por hagjiografët e mëvonshëm, mendimi i të cilëve pasqyrohet
edhe nga Martiriologu Romak, shkruajnë se shenjtoret u martirizuan gjatë persekutimit
decian, duke hamendësuar se prefekti Kuinciani është konsulli i provincës së Sicilisë,
nga i cili u martirizua edhe Shën Agia. Fakti se reliket erdhën në Torçelo nga Afrika
konfirmohet edhe nga dy emrat, Foska e Maura, emra vajzash afrikane.