2011-02-13 14:18:06

Imzot Nikollë Kaçorri kthehet përgjithmonë në Atdhe në Durrës.Imzot Mirdita: ai është gur themel i Shtetit Shqiptar, protagonist i padiskutueshëm i pavarësisë së Vendit.


(13.02.2011 RV)Që sot imzot Nikollë Kaçorri pushon në paqe në Atdhe. Eshtrat e këtij ati kombëtar e gur themeli të Shtetit Shqiptar, protagonist i shpalljes së pavarësisë më 1912 në Vlorë, zëvendës kryeministër i parë i Shqipërisë, zhvarrosur më 1 shkurt 2011 në Vjenë, përcjellë me një Meshë solemne për shtegtimin e ri në atdhe, të pazakontë, u pritën e u rivarrosën sot me 13 shkurt 2011 një Meshë tjetër solemne, kremtuar sot në Konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirdita, pikërisht në atë vend ku dom Nikollë Kaçorri pati nisur rrugën meshtarake prifti e atdhetari i madh.
Në homelinë e Meshës së rivarrimit të imzot Nikollë Kaçorrit, kryeipeshkvi imzot Rrok Mirdita mes tjerash theksoi se “don Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e Shtetit Shqiptar, ai është njëri ndër gurët e mëdhenj themeltar, të atyre themeleve që për natyrën e tyre, janë të padukshme, por të domosdoshme pse mbi to qëndron e mbështetët e tërë godina (Shteti) e ndërtuar mbi të, prandaj pa këto themele, nuk mund të ekzistojë”.
Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë kërkoi të rishikohet me vërtetësi, korrektësi e ndershmëri historia e hershme dhe e tashme e popullit dhe vendit tonë shqiptar, që të mos lihen në harresë figurat madhore e vendimtare siç ndodhi me imzot Nikollë Kaçorrin. Imzot Mirdita nënvizoi me forcë se “dom Nikollë Kaçorri qëndron në themele të Shtetit Shqiptar, është një shembull e thesar nga i cili duhet e mund të mësojmë si t’i shërbejmë popullit, vendit e Zotit duke dhuruar gjithçka. Po ja homelia e plotë që kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit shqiptoi sot gjatë Meshës kremtuar me rastin e vendosjes së eshtrave të dom Nikollë Kaçorrit në Kishën konkatedrale të shën Luçisë në Durrës.
Ta dëgjojmë fjalën e imzot Rrok Mirditës kushtuar gjigantit të Shtetit, kombit e kishës shqiptare, imzot Nikollë Kaçorrit... RealAudioMP3

Që sot imzot Nikollë Kaçorri pushon në paqe në Atdhe. Figurë pak e njohur, tejet interesante, që nuk mund të ndrydhet në skuta shkrimesh të shkurtëra1, Nikollë Kaçorri, prift, burrë shteti e shqiptar i kulluar, meriton më shumë se një monografi.2 Të shkruar nga duar të mësuara, si duart e klerikëve të mëdhenj të Kishës katolike, që hodhën, si shkëmbij viganë, në themelet e kulturës shqiptare, emrat e veprat e tyre të pamort. Në se krishterimi i fali Shqipërisë Poetin Kombëtar- Atë Fishtën; kodifikuesin e Kanunit të Lekës, Atë Gjeçovin; kardinalin e parë, Dom Koliqin, pa përmendur aradhën e gjatë të të tjerëve, që hapen brazdën e parë në të gjitha fushat e kulturës, nuk mund të mos kujtojmë sot me mirënjohje se në këtë aradhe, Nikollë Kaçorri meriton titullin “Kumbara i Pagëzimit” i Shqipërisë së lirë e të mosvarme, ende në djep. E burri i parë shqiptar i shtetit, i formuar me frymë vërtet demokratike e perëndimore.
Lindi rreth vitit 1868 në Krejë-Lurë, në një fis laramanësh. Vdiq më 1 qershor 1917 e u përcoll me një Meshë drite, kremtuar në Kishën e Shën Marisë së Treut, në Vjenë. Ndërmjet këtyre dy datave, një jetë tejet e begatë me ngjarje, gjithnjë e lidhur ngushtë me fatet e Shqipërisë. Do të kishte vijuar jetën e familjes, në se nuk do ta merrte për dore kryeipeshkvi i Durrësit, imzot Ambrozi, që pa në të meshtarin e atdhetarin e madh të ardhshëm. Biri i një gruaje myslimane u bë bir i Kishës katolike. Nisi shkollimin në seminarin papnuer të jezuitëve në Shkodër, për t’i plotësuar këndimet në Universitetin Urbanian, në Romë. U kthye në atdhe meshtar (1890), për të nisur misionin në Kishën e Shën Luçisë, në Durrës (1894), ku shërbeu 24 vjet si famullitar e më pas, si ipeshkëv ndihmës. Krahas veprimtarisë meshtarake, u vu në shërbim të çështjes atdhetare, për një Shqipëri të pavarur. Frymëzoi Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907); mori pjesë në Kongresin e Alfabetit të Shqipes në Manastir (14 nëntor 1908); në Kongresin Kombëtar të Elbasanit për shkollën shqipe (1909); themeloi Klubin patriotik të Durrësit (18 qershor 1910), u arrestua, provoi shijen e hidhur të burgjeve turke, doli nga burgu për të frymëzuar kryengritje të reja, drejt lirisë (1911-1912).
Më 28 nëntor 1912 ishte në Vlorë, protagonist i shpalljes së pavarësisë dhe i ngritjes së Flamurit Kombëtar. E ishte në Vlorë edhe më 4 dhjetor 1912, kur Kuvendi zgjodhi kabinetin e parë qeveritar të Shqipërisë së lirë: Ismail Qemali, Kryetar i qeverisë dhe Ministër i Punëve të Jashtme; Dom Nikollë Kaçorri, Nënkryetar; Luigj Gurakuqi, Ministër i Arsimit; Myfid Bej Libohova, Ministër i Punëve të Brendshme; Abdi Bej Toptani, Ministër i Financave; Mehmet Pashë Dërralla, Ministër i Luftës; Petro Poga, Ministër i Drejtësisë; Mit’hat Frashëri, Ministër i Punëve Botore; Pandeli Cale, Ministër i Bujqësisë; Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafave.1
Kështu për priftin nisi një periudhë tejet e ngarkuar me veprimtari, sa kishtare, aq edhe atdhetare, gjithnjë me lejën e të parëve, pa të cilën ai, e asnjë meshtar, nuk mund të vihet njëkohësisht në shërbim të politikës e të Kishës, të “elterit të Zotit” e të “elterit të Atmes”, me moton e pandryshueshme e klerit katolik për “Fe e Atdhe!”. Ky, pra, në shpalljen e Pavarësisë, roli i Kishës Katolike, që i dhuronte shtetit të parë shqiptar dy ministra të mëdhej: Kaçorrin e Gurakuqin.
Po ndërsa burrat e mëdhenj të shtetit punonin për paqen e Shqipërisë në fasha, bota punonte për luftën, që do t’i gremiste dhe një herë fatet e Kombit.
Më 28 qershor 1914, kur Shqipëria e Pavarur s’i kishte mbushur akoma dy vjet, në Sarajevë vritej arqiduka Franc Ferdinandi i Hapsburgëve. Një muaj më pas Austria sulmonte Serbinë; Gjermania i shpallte luftë Rusisë e Francës, Belgjika pushtohej nga ushtritë gjermane, hynte në luftë Anglia.
Bota u sëmur rëndë. E rëndë u sëmur edhe dom Nikollë Kaçorri. Iu shfaq sëmundja e tmerrshme, që asokohe në veri quhej irica; në jug, uriqi; në mjekësi, kancer. Shqipëria u bë urë kalimi për ushtritë e të gjitha palëve ndërluftuese. Shkelën në rrugët e saj italianë, austriakë, francezë, serbë, malazezë... Kaçorri u nis për të gjetur mbështetje për shëndetin e Shqipërisë e të vetin, në Austri, vend me të cilin ishte lidhur gjithë jetën, pa i vënë kurrë në lojë fatet e Shqipërisë. Atje dhe e kreu shtegtimin e mbramë mbi këtë tokë, duke zbritur në atë banesë, të cilën përcjellësit, me lot në sy, e quajtën ‘e fundme”, në varrin n. 19, grupi 84, rreshti 32, të Zentralfriedhof, Wien. Kjo ishte, për një shekull, adresa e Zëvendës-Kryeministrit të Qeverisë së parë Shqiptare. Po s’mund të jetë ‘e fundmja’ një banesë në dhe të huaj, për njerëz si Imzot Nikollë Kaçorri.
E ndërsa Nikollë Kaçorri zbret në banesën, besojmë vërtet të fundme, në Konkatdrelan e Shën Luçisë, në Durrës, ne shfletojmë Letërkëmbimin e Françeskanit e historianit shqiptar, Atë Paulin Margjokaj (që vijon të banojë dy hapa larg varrit të zbrazët të Dom Kaçorrit, në Vjenë) me Mustafë Merlikën. Letërkëmbimi i shërbente Françeskanit shqiptar si dëshmi gojore, për historinë e Shqipërisë, që po e shkruante, duke u bazuar kryesisht mbi dokumente, të mbledhura e të studiuara në arkivat më të pasura të Evropës.
Shfletojmë e lexojmë.4 Në letrën e 29-të që i dërgon atë Paulinit nga Ramlehu (Aleksandrí), datuar 11. 10. 51, duke iu përgjjgur pyetjes së tij mbi fillimet e veprimtarisë atdhetare të Dom Kaçorrit, Merlika shkruan:
“Ishem tashmâ i njohun në gjithë prefekturën e Durrsit, Kruja m’adhuronte, ndonëse djalë 23- vjeçar. I a hyna propagandës e nji organizimi të fshehtë. Formova, në bashkëpunim me dom Nikoll Kaçorrin, nji komitet revolucjonar me qêndër në Durrës me elementa intelektualë të rij. Betova parín e Krujës për kryengritje. Stambolli u lajmue për këtë veprimtarí t’emen e më transferoi n’Urfa (Ur-i i Asyrjanvet). Por tepër vonë, vjeta 1912 kishte hymë, un n’emën të Shqipnís së Mesme edhe, veçan, të beglerve të Toptanit ishem marrë vesht me Prenk Pashën për nji kryengritje të përbashkët me Mirditën, e në Kosovë kjo kishte fillue, ndërsa në malet e Shkodrës, nisun shumë mâ para pa u marrë vesht me viset tjera, kryengritja lokale ishte shue prej ushtrís tyrke.
...
Ishem 25 vjeç. Si muer fund kuvêndi u emnuesh nënprefekt i... kryeqytetit ase në dash thuej prefekt e në dash guvernor, se krejt Shteti aso kohe ishte vetëm ajo nënprefekturë. Mbas nja tre muejsh, Ismail Kemali më muer si sekretar të kshillit ministruer. Ishem edhe “senator” ndër 12 qi zgjodh kuvêndi me funkcjon konsultativ pranë qeverís së përkohshme, të kryesueme prej Ismail Kemalit vetë e ku Kaçorri ishte nënkryetar”.
Vjen pastaj letra e 24-t e Margjokajt, nisur nga Graci, datuar 29 fruer 1952, me një pyetje për personalitetin e Kaçorrit: “5) Mons. Kaçorri, me të cilin - si më ké shkrue perpara - keni pasë punë sa heresh, a âsht kenë mâ fort italofil apor austrofil a por âsht kênë shqyptar i saktë si Ti e Luigji, qi mendojn kryekrejet të mirën e atdheut pa u fiksue në nji idé: jo Italí; jo Austrí, jo Francë e jo Gjermaní!”.
Më pas, përgjigjja e Merlikës, nga Ramleh (Aleksandrí), shkruar më 21.02. 1952:
“Kaçorri ka mendue thjesht e vetëm si mâ i kullueti Shqiptar idealist, e ashtu edhe ka veprue”.
Ndërsa në letrën e 53-të, shkruar më 21.1. 55 në Ramleh, Merlika shkruan:
“Për Janinën un nuk dij kurrgjâ të sigurtë, madje nuk dij veçse çança qi vijshin rrotull aso kohe e që ishin në gojë të gjithë kundrështarë të Ismail-Kemalit. Dij qi ky ka dekun pa ovull në xhep e qi në Vlonë pranë tij kanë qênë Luigj Gurakuqi, D. Nikoll Kaçorri e sa patrijotë tjerë të panjollë”.
Në letrën e nisur nga Grazi, me 25 fruer 1955, frati-historian i drejton politikanit, të pranishëm personalisht në të gjitha ngjarjet vendimtare për historinë e Shqipërisë, një pyetje tjetër, vërtetë të rëndësishme: “A ka pasun përnjimênd patrijotë shqiptarë në perjodën risorgjimentale (1878-1912)”.
Nga Ramlehu arrin përgjigjja, letra 55, datuar 15. 03. 1955:
I dashuni miku im,
A ka pasun përnjimênd patrijotë shqiptarë në perjodën risorgjimentale (1878-1912) - kështu po e quejmë atë perjodë, nemose sa për t’u marrë vesht-, apor ato shfaqje konkrete qi na përgjithsisht quejmë patrijotizëm shqiptare kanë qênë efekt ndiesije fetare ase propagande të përjashtme e manovrash të Shtetevet qi kishin interesë me krijuem nji nacjonalizëm shqiptare? Kështu po e formuloj un këtë pjesë të letrës s’ate. Tý po të shoh tepër shqeptik e pesimist për sa i përket ksaj pike. E nuk jam në nji mendin me tý. Pra nuk besoj se mund të më marrin për zêmërbutë e optimist për të mêtat t’ona ata qi më njohin. Un dij qi ka pasun shqiptarë myslimanë n’atë perjodë qi kanë vepruem për të drejtat e kombit të tyne të shkeluna prej zotnuesit tyrk, orthodoks qi kanë punuem kundra pretendimeve greke mbi toka shqiptare e për autoqefalín’ e kishës orthodokse shqiptare. Jam i bindun se edhe katholiqt shqiptarë - flas për klasën e stërvitun, në të gjitha këto pohime - s’kanë punuem vetëm si katholiq kundra nji sundimi mysliman, por mâ par’ e mâ dalë si Shqiptarë. Për këtë bindje më ka ramë me pasun nji provë tejet të bukur personalisht: Imzot Nikoll Kaçorri, pak kohë para kuvêndit të Vlonës qi shpalli pavarsinë e kombit, në nji diskutim të fortë ndërmjet nji tube patrijotësh ku merrsha pjesë edhe un e qi kishte për subjekt me kërkuem protekcjonin e Austro-Hungarisë mbi nji Shqipní të shkëputun nga Tyrqija, i kundrështoi me tânë fuqin’ e djalektikës e afshin e patrijotizmës së tij ksaj these, të parashtrueme prej nji myslimani, tue shtuem edhe se nji protekcjon i Tyrqisë së dobët e të dënueme me e lëshuem, heret a vonë, tokën e saj n’Evropë, i dukej mâ pak i rrezikshëm se ai i nji Austrije të fortë, nga thonjt e së cilës ishte vështirë me shpëtuem mâ.
Ka shtete të hueja qi i kanë ndihun propagandës nacjonaliste shqiptare: Austro-Hungarija, Italija, Rumenija, Bullgarija, Amerika e deri Egjypti, aktivisht ose pasivisht. Por do t’ishte nji padrejtsí kundra vetes s’onë me besuem e me thânë se kanë qênë ato shtete krijuesat e asaj propagande, t’asaj veprimtarije. Po edhe sikur të kenë qênë ato - qi për mue s’kanë qênë- , duhet me pohuem se kanë gjetun ndër Shqiptarët tokë të butë për t’a mbjellë propagandën e tyne. Nji mysliman besimtar, sikur mos t’ ishte edhe nji nacjonalist i mirë, jo vetëm s’do t’i a kishte vûmë veshin propagandës së nji Shteti të krishtênë, por do të kishte bâmë të kundërtën e këshilleve të tija. Sa për me u thyem me pare a interesa tjetër faret, jo, se njihen njerëz qi do t’ishin gjindun shumë mâ mirë me interesat e tyne tue i shërbyem Sulltanit babë, se tue i ramë ndesh e mohit. Sa për Lidhjen e Prizrenit, nuk dij me të thânë mâ tepër sa ka shkruem Ippen-i në Ill.- alb. Forschungen. Po shtoj vetëm nji komentim të vogël: myslimanët mâ fanatikë të Shqipnisë, qi kanë qênë ata të qytetit të Shkodrës, u vranë me vllaznit myslimanë t’ushtrisë së Dervish pashës për vllaznit shqiptarë t’Ulqinit”.
Besojmë se këto rreshta do t’i shërbejnë asaj dore, që do të marrë pendën për të hartuar një monografi të re të Imzot Kaçorrit, i cili na flet sot prekshëm me kthimin e tij të pazakontë në Atdhe, mbas një shekulli.

____
1 Kërko në internet në adresën “Nikollë Kaçorri”.
2 Cfr. Don Pren Kola “Imzot Nikollë Kaçorri për mëvetësinë e Shqipërisë”, botuar tek revista “Shpresa e Prishtinës” dhe tek “Zëri i Shën Nikollës”, në Velezhë të Prizrendit.
3 Cfr. Bardhosh Gaqe, “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”; SH.B. Naim Frashëri, Tiranë, 1977, fq 5. Në faqen 84-86, jetëshkrimi i Imzot Nikollë Kaçorrit, ku si datë lindjeje shënohet viti 1862 e jo 1868, dhe bibliografia, mbi të cilën u mbështet autori për jetëshkrimin. Shiko, sidomos, Revistën ‘LEKA’ nr. 8-12, viti 1937, fq 395.
4“Letërkëmbim”-Merlika-Margjokaj-1947-1958. Botuar nga Camaj-Pipa në Shkodër, në vitin 2006, përgatitur nga Bashkim Merlika e Daniela Dukagjini, libri përmbledh 123 letra shkëmbyer ndërmjet Mustafë Merlikës e Atë Paulin Margjokajt. Shkas i lindjes së këtij letërkëmbimi është interesimi i Fratit për dëshmi e hollësira të jetuara, në sa shkruante historinë e Shqipërisë, në gjuhën gjermane, dorëshkrimi i së cilës ruhet në Arkivin françeskan në Shkodër.







All the contents on this site are copyrighted ©.