Më 12 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shën Benediktin e Anianit.
(12.02.2011 RV)Vitizia, siç u quajt në pagëzim ati i parë i jetës murgare gjermanike,
lindi në vitin 750 në familjen fisnike vizigote Agjilulfo në jug të Francës. U dërgua
për të studiuar në oborrin mbretëror të Jozefit të shkurtër. Më pas hyri në ushtrinë
e Karlit të Madh dhe luftoi në Itali kundër Longobardëve. Këtu, duke rrezikuar
jetën e vet, shpëtoi jetën e të vëllait që kishte rënë në ujë e po mbytej i përpirë
nga gjeratoret e lumit Tiçino. Kjo ngjarje pati ndikim të jashtëzakonshëm në jetën
e tij. U kthye, së bashku me një murg të verbër me emrin Vidmar, në Francë. Hyri menjëherë
në kuvendin e Shën Sekuanos, pranë Dizhonit, ku mori emrin rregulltar Benedikt. Shumë
shpejt u zgjodh abat i këtij kuvendi, por sivëllezërit nuk munden ta durojnë sjelljen
e tij tepër asketike. Atëherë ai u largua e themeloi kuvendin e vet benediktin në
Anian, pranë Montpelié. Zgjodhi rregullën benediktine, sepse tek Shën Benedikti njohu
njeriun që jetonte ashtu si predikonte. Diktoi rregulla të rrepta në përkim me moton
benediktine: “Lutu e puno”, të cilat i respektoi vetë i pari. Bashkësia lulëzoi. Si
vdiq Karli i Madh, Benedikti shërbeu si këshilltar i Ludovikut të përshpirtshëm. Vitet
e fundit të jetës i kaloi në abacinë e Inden, sot e Kornelimyster, pranë selisë mbretërore
të Akuisganës. Kujtojmë se Aquisgrana, në gjuhën gjermane Aachen, në frëngjisht
Aix-la-Chapelle, në holandisht Axhe, është një qytet i pavarur në shtetin federal
të Reno-Vestafalisë veriore në Gjermani. Ndodhet pranë kufirit ndërmjet Vendeve të
Ulta dhe qytetit më perëndimor të Gjermanisë. I vendosur në zemër të Evropës, qe selia
e Karlit të madh, i cili ndërtoi këtu katedralen e famshme, shpallur që nga viti 1978
nga UNESCO - pjesë e thesarit të kulturës botërore. Këtu vdiq Shën Benedikti e
po këtu edhe u varros në vitin 821 në një varr, që sot konsiderohet i humbur. Kisha
e kujton Shën Benediktin për veprimtarinë e tij liturgjike e teologjike në mbrojtje
të doktrinës së krishterë kundër teorive të ‘adocionistëve’, që ishin përhapur në
Spanjë. Për ta kryer me sukses këtë detyrë, Benedikti udhëtoi, shkroi, përgatiti ipeshkvijtë
e meshtarët, duke u bërë model shenjtërie e besnikërie ndaj Krishtit për të gjithë.