2011-02-12 10:58:41

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.
Jezusi nuk ka ardhur për anuluar e shlyer Ligjin apo Profetët, do të thotë dëftimin e vjetër hebraik, që ka shoqëruar Izraelin në udhën e tij të fesë, por ka ardhur për t’i dhënë plotësi e përkryerje. Vërtet ai e tregon vetveten porsi Mesinë, porsi atë që tani është bazë, themel, qendra e kulmi i Ligjit të vjetër. Jezusi na paraqet risinë e ungjillit në krahasim me ligjin e vjetër. Risia qëndron në interiorizimin apo përvetësimin e ligjit si orientim të jetës. Nuk është aspekti i jashtëm i veprave e nismave, por zemra e njeriut para Zotit që e përcakton autenticitetin apo vërtetësinë e fesë. Në këtë mënyrë Jezusi paraqet vetveten si interpretuesin e vërtet të vullnetit të Hyjit.
Në leximin e I lexohet se Zoti “nuk i urdhëroi askujt të jetë i keq e i paudhë dhe nuk ia dha askujt lejen për të bërë mëkat”.
Në Ungjill të kësaj së diele, citohet shpesh Besëlidhja e Vjetër e sidomos Dekalogu, Jezusi e radikalizon Ligjin duke e shtrirë e zgjeruar ndikimin e tij në brendësi të njeriut. Ligji prek, përfshinë e angazhon mendjen, vështrimin, zemrën e dishepujve. Ajo çka e përbënë Ligjin e ri e përfundimtar.
Mirëpo për ta përvetësuar, duhet zbatuar një betejë impenjuese e të përhershme kundër së keqes, që nuk mund të bëhet “me këmbë, me dorë, me sy, me mendje”. Për këtë Jezusi përdor shprehje paradoksale: për të hy në mbretërinë e Atit qiellor, është më mirë të privohemi nga syri djathtë apo nga dora e djathtë. Shën Pali, duke vu në pah se lypet një zemër e re, e tregon udhën e sigurt për t’ia arritur qëllimit: të lejojmë të udhëhiqemi nga Shpirti, mësuesi i brendshëm i jetës.
Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu...........RealAudioMP3

Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Siracidit

Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh. Ai t’i vuri përpara ujin e zjarrin, ku të duash, shtrije dorën tënde! Përpara njeriut është jeta e vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i je-pet. Sepse e madhe është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e pandërprerë sheh gjithçka. Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druan, Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut. Nuk i urdhëroi askujt të jetë i paudhë e nuk ia dha askujt lejen për të bërë mëkat.

Fjala e Zotit

Psalmi 119 (118)

Ref:
Lum ai që ec në ligjin e Zotit.
_________________
Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në ligjin e Zotit!
Lum kush i mban dëshmitë e tija,
që e kërkon me gjithë zemër.
_________________

Ti i shpalle urdhërimet e tua
që të mbahen përpikërisht.
Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia
për t’i zbatuar rregulloret e tua!
_____________

Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:
që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.
M’i hap sytë të shikoj
mrekullitë e ligjit tënd.
_____________

Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi,
sepse gjithmonë është me mua.
Shpirti im i ruan ligjet e tua
dhe i desha ato me gjithë shpirt.
_________________


Leximi i dytë (1 Kor 2, 6-10)

Dituria e Hyjit është plani misterioz i krijuar prej tij për të sjellë shpëtimin tonë. Korintasit në fakt me ndarjet e tyre janë të paaftë të kuptojnë diturinë hyjnore misterioze e të fshehur në shekuj, që na është zbuluar neve sot nëpërmjet Shpirtit.
Të ndahesh domethënë të boshatisësh misterin e Krishtit të kryqëzuar, që ka qëllimin të unifikojë gjithçka në të e të shfaqë Krishtin shpresën e lavdisë së ardhshme.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, ne shpallim dijen në mes të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mund e njohi; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’
Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërtonë në gjithçka, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore.

Fjala e Zotit
ALELUJA,
Aleluja.
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,
që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 5, 17-37)
Krishti, me mësimet e tij të reja dhe rrënjësore, jepte përshtypjen e mosrespektimit dhe përbuzjes së ligjit; ndërsa ai pranon vlerën e ligjit të Moisiut e për këtë arsye nuk vjen ta shfuqizojë por ta përsosë.
Por ligji nuk mund të zvogëlohet në një listë përshkrimesh duke shtrembëruar vetë ligjin, siç bënin skribët dhe farisenjtë. Ligji, si shprehje e vullnetit hyjnor, duhet të pranohet në tërësinë e tij e në qëllimin e tij të vërtetë. Mbi këtë parim të përgjithshëm themelohen antitezat e Jezusit.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjithat.
Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhëra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë nerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.
Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vrit! Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.” E unë po ju them: Kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budall’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.
Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!
Ndrequ me shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë e fundit.
Keni dëgjuar se që thënë: ‘Mos e the kurorën!’ E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet, përveç në rastin e fëlligështisë, e bën atë të thejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.
Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me qiell, sepse ai është froni i Hyjit, as me tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tija, as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. Mos bëj be as në krye tënd, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej qoftëlargut.”

Fjala e Zotit

Homelia e dielës së 6-të gjatë vitit Kishtar ‘A’ nga saleziani shqiptar don Tomë Mihaj.

Qoftë lëvduar Jezu Krishti, të dashur motra e vëllezër,
së pari – të nderuar dëgjues të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe – ju përshëndes dhe ju dëshiroj të gjithëve hir dhe bekim. Ja jemi këtu së bashku për të medituar mbi fjalën e Zotit që na dhurohet këtë të diel gjatë Eukaristisë së Shenjtë: e diela e gjashtë gjatë vitit, këtë të diel në të cilën Kisha na kujton që të lutemi në mënyrë të veçantë për të sëmurët.

Të dashur vëllezër e motra, na ndodh shpesh që të ballafaqohemi me Fjalën e Zotit – e uroj që të jetë për ne ushqim i përditshëm – por çdo herë që lexojmë apo meditojmë një pjesë nga Shkrimi Shenjt duhet t’i bëjmë vetes tri pyetje:
    E para: çfarë thotë kjo Fjalë (në vetvete)? Duhet të mundohemi të kuptojmë atë që Fjala e Zotit thotë, ta lexojmë me vëmendje duke kërkuar forcën e Shpirtit Shenjt që të na shndrisë mendjen e ngrohë zemrën për të kuptuar Fjalën e Tij.
    Pyetja e dytë lidhet ngushtë me të parën: çfarë thotë mua kjo Fjalë në këtë moment të jetës sime? Shkrimi Shenjt mbart në vetvete një mesazh për të gjithë njerëzimin, por sot në veçanti për mua, Sot Ai ka zgjedhë mua që të më thotë diçka.
    Zoti dëshiron që ne të bashkëveprojmë me hirin e Tij për të ndjekur udhën e jetës. Nga ky vullnet i Zotit lind pyetja e trete: çfarë duhet t’i them unë fjalës që sapo kam dëgjuar? Cili është reagimi, përgjigja, angazhimi im?

Nuk mund të jemi indiferent ndaj dashurisë së madhe që Hyji tregon ndaj nesh, duhet që edhe ne të shkruajmë më jetën tonë një faqe të re të shkrimi shenjt: sepse çdo jetë e shenjtë është një faqe që Hyji shkruan për botën, për njerëzimin edhe sot.
Atëherë le ta meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës së kësaj të diele duke u nisur nga këto tri pyetje:

    çfarë thotë shkrimi shenjt këtë të diel?


    Leximi i parë tregon dashurinë e madhe që Hyji ka ndaj njerëzve, deri në atë pikë sa që i lë të zgjedhim udhën dhe cakun e jetës së tyre - thotë leximi i parë - nga libri i Siracidit: “Përpara njeriut është jeta dhe vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet.” Edhe pse i njeh të gjitha veprat tona, përpara se ne ti realizojmë, Ai na lë që të jemi ne ata që zgjedhim në liri të plotë rrugën e jetës. Për ata që zgjedhin udhën e jetës Psalmisti do këndonte: “Lum njeriu me sjellje të pastër, që ecën në ligjin e Zotit!”.


    Leximi i dytë prej letrës së parë të Shën Palit Korintasve, tregon se dija që vjen nga Fjala e Zotit, Dituria e Hyjit është krijuar prej tij për të sjellë shpëtimin në botë, jo një dituri njerëzore. Sepse vetëm ajo që është e amshuar jep jetën e vërtetë. Nëse në leximin e parë Siracidi na ka thënë se njeriu ka mundësi të zgjedhë mes së mirës dhe së keqes, për fat të keq njeriu shpesh ndjek parimet e këtij shekulli e shkon pas së keqes. Për këtë shën Pali na siguron se Hyji që nga amshimi ka planifikuar një plan lumturie për bijtë e Vet: ky plan është Krishti Jezus, Ai është udha dhe qëllimi i vetëm i këtij plani në saje të Shpirti Shenjt që vepron pandarë në zemrat tona.


    Në Ungjilli, Krishti me mësimet e tija të reja dhe rrënjësore, ndërsa pranon vlerën e ligjit të Moisiut shpall përsosmërinë e ligjit dhe përjetësinë ë Fjalës së Tij: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjithat”.


E cili është ky ligj? Ligji i Dashurisë, dashurisë ndaj Hyjit e të afërmit. Ja pra se nuk është e mundur që nga një anë t’i kushtojmë fli tonë Zotit (për të plotësuar ligjin) e nga ana tjetër të jemi në hasmëri me vëllain tonë, thotë Jezusi: “Nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në altar e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!”.
Jezusi këmbëngulë akoma më shumë në mësimin e veta. Nuk ka gjysmë termash, me Jezusin nuk mund jemi njerëz të vakët përbrenda: “Nëse syri, dora të çojnë në mëkat, duhet ta flakim tej. Sepse është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr”. Ai dëshiron që të mbizotërojë jo ligji i dukjes, por ai i zemrës, ja pse "jo vetëm ai që bën kurorë thyerje, por kushdo që shikon një grua për fëlligështi, bën mëkat".
Të ndjekësh Jezusi do të thotë të bësh një zgjedhje rrënjësore për të jetuar të përditshmen ndryshe nga të tjerët. Ja pra, Jezusi na kërkon diçka më shumë se ajo që duket përjashta.


    të dashur miq vjen pyetja e dytë: çfarë thotë mua kjo fjalë?

Jezusi – në leximet e kësaj të diele – na tregojë udhën dhe mënyrën për të qenë vërtetë të lirë:



    të lirë Në vepra

Leximi i parë na kujton se jemi të lirë për të vepruar. Na thotë edhe se është e rëndësishme që të dimë të zgjedhim, sepse: nëse zgjedhim për të mirën do të kemi jetën; ndërsa nëse do të zgjedhim për të keqen do të kemi vdekjen.
Shpesh herë gabojmë e zgjedhim kënaqësitë e çastit, vendosim të ndjekim rrugën e gjerë dhe të lehtë që të çon në vdekje, në vend se të ecim në të ngushtën që të çon në jetë “Sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë nga ata që kalojnë nëpër të! " (Mt 7, 13).

    të lirë në qëllime, në dëshira

Por Ungjilli flet për një liri më edhe më të thellë: lirinë e zemrës, lirinë e qëllimeve. Jo vetëm veprat kundër ligjit të Dashurisë së Zotit, por edhe qëllimet e ligëta në zemër na largojnë nga bashkimi ynë me Zotin e me njëri-tjetrin.
Kjo pjesë e Ungjillit të kësaj të diele, vjen menjëherë pasi në malin e lumturive Jezusi ka shpallur Lumturitë: si burimi i vërtetë i lirisë së brendshme. Jezusi na kërkon një stil të ri jete. Stili i një zemre, mendjeje dhe personi të liruar nga çdo mëkat.

    Të Lirë për virtyt të Shpirti Shenjt

Ndërsa Leximi i dytë i Korintasve (kapitulli 2). Na flet për “përsosmërinë” që na zbulon Shpirti Shenjt: “Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore”.
Ja të dashur vëllezër e mora se cila është liria e vërtetë: të lejojmë që të veprojë Shpirti i Shenjt (Shiriti i Krishtit) brenda nesh. Ai që ndriçon zemrat, ngroh thellësinë e shpirtit tonë, drejton dhe frymëzon drejt së mirës. Vetëm duke u udhëhequr nga Shpirti Shenjt mund të fitojmë lirinë në vepra, në dëshira dhe në qëllime.
Kjo është rruga që na fton të përshkojmë Ungjilli i kësaj të diele.

T’ia kërkojmë këtë dhuratë Shpirtit Shenjt me lutje të vazhdueshme: që edhe ne të mund të jemi dritë dhe kripë për botë. Me këtë urim ju përshëndes të dashur motra e vëllezër duke u lënë një porosi: Në fillim folëm për tri pyetje që na lindin kur lexojmë Shkrimin Shenjt. Dy prej të cilave i pamë së bashku. Ndërsa pyetjes së tretë (- reagimi im ndaj Fjalës së Zotit që dëgjoj: çfarë ti them unë kësaj Fjale?) ua lë juve që t’i jepni përgjigje me veprat tuaja gjatë kësaj jave.
Paçi bekim e shenjtëri në jetën tuaj.
Qoftë lëvduar Jezu Krishti.
Don Tomë Mihaj sdb







All the contents on this site are copyrighted ©.