2011-02-11 17:38:38

Radio Vatikani mbushi 80 vjet. Dje, konferenca e shtypit në Muzetë e Vatikanit.


(11.02.2011 RV)“Radio-Vatikani është një familje e madhe, që nuk njeh kufij”. Kështu u shpreh dje kardinali Gjovani Lajolo, kryetar i Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit, në takimin e organizuar me rastin e 80-vjetorit të emitentes papnore. Në një mjedis, ku takohen një mori gjuhësh e kulturash – shtoi kardinali, duke cituar fjalimin e Benediktit XVI, mbajtur me rastin e 75-vjetorit – të gjithë janë vëllezër e motra, bashkëpunëtorë të Papës e të Kishës, forcë e madhe për paqen.

Jemi në vitin 1931. Kanë kaluar vetëm dy vjet nga themelimi i Qytet-Shtetit të ri të Vatikanit. Në këto rrethana, kujtoi kardinali Gjovani Lajolo – lind Radio Vatikani:
“Në dyvjetorin e lindjes së Shtetit, më 12 shkurt 1931, Papa përuron stacionin e parë. Qyteti i Vatikanit ka, kështu, mjetin e vet të komunikimit, që e bën sovran e të pavarur në këtë fushë, duke i krijuar kushtet për të pasur shërbimet e veta radiotelegrafike e radiotelefonike”.
Radio Vatikani lindi në një kohë, kur mbi botën endej fantazma e totalitarizmave, kur njerëzimi provonte shijen e hidhur të shtypjes, të persekutimit, të mohimit të lirisë fetare:
“Radioja bëhet, atëhere, mjet edhe më i përshtatshëm, e i pashembullt, për përhapjen e mesazhit të fesë e të lirisë; arrin t’i kapërcejë kufijtë e mbyllur e të hyjë në shtëpitë e në vendet, ku vijon të ruhet, shpesh fshehurazi, e deri me rrezik jete, shpresa për ditë më të mira”.
Hirësia e Tij vijoi të kujtojë se pas ngjarjes së madhe kishtare, Koncilit II të Vatikanit, Radioja e Papës thirret e inkurajohet të marrë pjesë me zell të ri në misionin e ungjillëzimit e të rolit udhëheqës moral të papnisë, në botën e sotme. Pikërisht për misionin e Radios papnore, në shërbim të Ungjillit, foli atë Federiko Lombardi, drejtor i Radio Vatikanit. Bashkësia e emitentes së Papës është e thirrur të bashkëpunojë me Atin e Shenjtë – pohoi atë Lombardi – duke i bërë vetes pyetjen si të komunikojë:
“Si të komunikojë me fryt, me një gjuhë të qartë e të kuptueshme, në mënyrë që ta ndjekin sa më shumë njerëz, të hyjë në mendjet e tyre, t’u prekë zemrat. E për këtë punonjësit e Radios duhet ta bëjnë të vetin mesazhin që marrin, për ta jetuar, pastaj e për ta përcjellë në mënyrë sa më të besueshme, me gjuhët, gjinitë shprehëse e teknologjitë më të përshtatshme”.
Rrugët e mënyrat, që përdor Radio Vatikanit për përhapjen e mesazhit, janë të panumërta. Antenave e valëve, u janë shtuar lidhjet satelitare, Interneti e lulëzimi i zbatimeve më të reja teknike. Nga ky pluralitet – theksoi atë Lombardi - nuk mund të mos lindë pyetja:
“Jemi akoma “radio”? Apo ndoshta jemi bashkësi e madhe komunikatorësh e teknikësh, në shërbim të misionit të Atit të Shenjtë që, e përfshirë në shndërrimet e mëdha të epokës dixhitale – përpiqet të ecë në rrugët më të mira, për të komunikuar, në bashkëpunim me të gjithë ata, që mund të japin ndihmesën e tyre në këtë mision? Ndoshta jemi pikërisht një bashkësi e tillë”.
E kjo bashkësi komunikatorësh e teknikësh është ndërkombëtare e ndërkulturore. Ka shumë mundësi që Radio Vatikani, me 40 gjuhët që flet e 15 alfabetet që përdor, të jetë emitentja ndërkombëtare me më shumë gjuhë nga të gjitha radiot e tjera, të cilat i flasin ditë-natë mbarë Planetit:
Ne jemi krenar për këtë dhe e shikojmë larushinë gjuhësore si pasuri të madhe për Selinë e Shenjtë, si shenjë e universalitetit të Kishës katolike e të vlerësimit të saj për kulturat e ndryshme, edhe pse nganjëherë të vogla, madje edhe krejt dytësore në këndvështirmin e madh gjeopolitik”.
Mbrojtja e larmisë gjuhësore e kulturore bën pjesë në Adn-në e Radio Vatikanit. Një karakteristikë tjetër e vokacionit të bashkësisë së punës së emitentes papnore – kujtoi atë Lombardi – është përpjekja për të arritur tek të gjithë njerëzit, posaçërisht tek ata, që kalojnë çaste të vështira, që janë larg, ose që kanë pak mundësi të shfrytëzojnë mjetet moderne të komunikimit:
Ne mendojmë se duhet t’u shërbejmë të pasurve e të varfërvce, të lirëve e të robëruarve, të rinjve e pleqve. E natyrisht mendojmë edhe se duhet të na dëgjojnë, të na vizitojnë, ndonëse imperativi i shërbimit kishtar, për ne, nuk matet kryesisht e vetëm me numrin e dëgjuesve e të vizitorëve. Edhe në se dëgjuesit somalë do të jenë numerikisht të papërfillshëm, ne e dimë se pak e kush i mbron, prandaj mendojmë të mos i braktisim”.
Imzot Bryan Wells, përfaqësues i Sekretarisë së Shtetit në mbledhjen përkujtimore të 80-vjetorit të lindjes së Radio Vatikanit, nënvizoi, në përfundim se, në epokën e mjeteve të reja të komunikimit e të mundësive të reja teknologjike, emitentja e Papës duhet të jetë gjithnjë më shumë zë që i flet mbarë botës:
“Radio Vatikani duhet të jetë zëri i Kishës, për t’iu kundërvënë atyre që pohojnë se Kisha nuk është më e aftë të përtërihet në brendësi të vet e për të dëshmuar vullnetin e përhershëm të Kryebariut të saj për pastrim. Radio Vatikani duhet të jetë zë, që mbron lirinë fetare në mbarë Planetin. Radio Vatikani duhet të jetë zë, që bën thirrje për dialog e harmoni në një botë, e cila përdor gjithnjë më shumë urrejtjen e dhunën, si mjete për të zgjidhur konfliktet”.
Prej këndej, për Radio Vatikanin është e domosdoshme të thellojë familjarizimin me mjetet gjithë të reja të komunikimit, për të qenë kështu “motor i formave të reja të njohjes, të vetëdijes, të kulturës së re”.







All the contents on this site are copyrighted ©.