Më 11 shkurt bie 82 i themelimit të Shtet Qytetit të Vatikanit
Më 11 shkurt 1929 u themelua Shtet Qyteti i Vatikanit. Sot pra më 11 shkurt bie 82-vjetori
i themelimit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit që përkon me Paktet Lateranense të
1929-tës. Këto pakte, gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes së veprimtarisë,
së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur kështu në cakun
e harmonisë shoqërore. 11 shkurti, përvjetori i Pakteve Lateranense, mbetet një
ngjarje e madhe, e cila më 1929 shënoi "fundin e kundërvënies ndërmjet shtetit e Kishës.
Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin
XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të atdheut. Këto dokumente i dhanë
fund ndarjes së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë
që besimtarët të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe
të thonë fjalën e tyre si katolikë në të gjitha fushat e jetës. Vlerat e 11 shkurtit
ndikuan fuqimisht edhe për vënien në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë në gjirin
e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës
i të cilit është vetë Kisha, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë
kauzën e njeriut. Konkordati ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, njohje reciproke
ndërmjet dy palëve, shikohet si model për Evropën. Marrëveshja, tashmë e konsoliduar,
ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, me Konkordatin e rishikuar më 1984, në përkim
me mësimet e Koncilit dhe me pjekurinë demokratike të vendit, mund të bëhet një model
i vërtetë për Evropën, për të përcaktuar rregulla të qarta në marrëdhëniet ndërmjet
dy realiteteve, mbi të cilat bazohet bashkëjetesa e tyre. Kështu Kisha fitoi të
drejtën e plotë për zhvillimin e misionit të saj fetar dhe, në të njëjtën kohë, për
të punuar në shërbim të paqes dhe të progresit të popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur
çdo rrezik kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij
shpirtëror e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive qëndron edhe e fshehta
e lirisë dhe e progresit në kontinent. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare,
mund të bëhet referim i qartë për Evropën që po ndërtohet. 11 shkurti i vitit 1929,
me Paktet Lateranense, mbetet një ngjarje e madhe, e cila shënoi "fundin e kundërvënies
ndërmjet Shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për
Bashkimin e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato
të atdheut.