80-vjetori i themelimit të Radio Vatikanit, sot i orientuar edhe drejt ‘kufijve’ të
ri të botës digjitale.
80 vjet më parë e pikërisht më 12 shkurt të vitit 1931 përurohej Radio Vatikanit
nga Papa Piut XI me radiomesazhin e tij drejtuar botës në praninë e Gulielmo Markonit,
shpikësit të radios, e Atë Gjuzepe Gjanfrançeskit S.J., drejtorit të parë të emetueses.
Kanë kaluar 80 vjet që nga ajo ditë, po Radio Vatikani vijon ta çojë në të katër
anët e Planetit zërin e Papës e të Kishës, duke kaluar kufijtë, duke kapërcyer pa
frikë pengesat politike, ideologjike, shoqërore e kulturore e duke rrokur mbarë kontinentet
me mesazhin e vet të paqes e të vëllazërisë. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të së
dielës, më 12 shkurt 2006, Papa Benedikti XVI që do ta vizitonte Radion pak ditë më
pas, më 3 mars 2006, mes tjerash nënvizoi: “... me mjetin e radios e pastaj
të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e papëve kanë mundur të arrijnë më
shpejt e më lehtë ndër të gjithë popujt”. Po kujtojmë se Benedikti XVI është
papa i gjashtë që vizitoi Radio Vatikanin pas Piut XI; Piut XII, papës së dramave
të Luftës II Botërore; Gjonit XXIII, papës të Enciklikës ‘Pacem in Terris’ në një
botë ku sundonte lufta e ftohtë; Palit VI, që përmbylli punimet e Koncilit II të Vatikanit,
përuruar nga paraardhësi i tij Gjoni XXIII dhe më vonë Gjon Palit II. E sot Radio
Vatikani, përveç transmetimit me valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht
gjuhën më të njohura e më të përparuara digjitale të multimedialitetit e të ueb-it.
Me një objektiv, që ka mbetur i pandryshueshëm për 80-vjet: të çojë në botë zërin
e Papës e të Kishës, të gjejë, pa u lodhur kurrë, mënyra e hapësira të reja, për të
përhapur, ndërmjet lajmeve, Lajmin e Mirë të Zotit. Është një bashkësi profesionale
me 384 punonjës nga 59 kombe, me 54 gjuhë, që transmeton 23 mijë orë vjetore. Ndër
gjuhët e ndryshme të botës, Radio Vatikanit flet edhe gjuhën shqipe që nga 3 tetori
i vitit 1951.