2011-02-10 16:12:35

Çelësi i fjalëve të Kishës: pavdekësia


(10.02.2011 RV)Të dashur dëgjues, në Kishë flitet shpesh për pavdekësinë, për amshimin, për jetën e përtejme. Cila është baza biblike e pavdekësisë? Siç do të shpjegojmë sot, ajo s’ka të bëjë aspak me një jetë pa fund mbi tokë. Madje filozofia popullore shqiptare e sheh si mallkim jetën pa fund mbi dhe, pasi njeriut, të harruar nga Perëndia, i kalojnë para syve bijtë e bijat e të gjithë të dashurit, të cilët natyrshëm ndahen nga kjo jetë. S’ka dhimbje më të madhe se t’i shohësh të vdekur fëmijët e tu. Pra, cili është kuptimi i krishterë i “pavdekësisë”?

Jeta e përtejme në Bibël përvijohet mbi bazën e një këndvështrimi të njohur mbi njeriun, si qënie unitare, që përmbledh në vetvete si përmasën fizike, ashtu edhe atë shpirtërore. Për këtë arsye, modeli që e përshkruan bazohet mbi ringjalljen e njeriut në tërësinë e vet, me ndihmën e realitetit kozmik global (“qiejt e rinj e toka e re”).
Megjithëse nuk përmendet shpesh, në Bibël ekziston edhe termi grek “athanasìa”, “pavdekësi”. Së pari, ai duket në Librin e Urtisë, që ndoshta, është shkruar në Aleksandri të Egjiptit, në prag të epokës së krishterë. Pesë kapitujt e tij të parë i kushtohen temës së jetës së përtejme, përshkruar me fjalë e koncepte helenike. Megjithatë, nëse shkojmë më thellë në faqet e Librit, zbulojmë rrënjë hebraike, pra një perspektivë më globale e më pak spiritualiste se ajo greke.
Në dryshim nga grekët, sidomos nga bindjet e Platonit, pavdekësia, në kuptimin hebraik, nuk është cilësi e nevojshme për përmasën shpirtërore të njeriut, siç thoshte filozofi i famshëm grek, por është bashkim i të drejtit me Zotin, është pjesëmarrje në jetën e Tij. Për rrjedhojë, pavdekësia nuk është më karakteristikë e brendshme e shpirtit, por hir, dhuratë hyjnore: “Shpirtrat e të drejtëve janë në dorën e Hyjit… shpresa e tyre ishte plot pavdekësi”, thuhet në kapitullin e tretë të Librit të Urtisë (1.4). Në këtë vazhdë përdoret fjala “athanasìa” edhe në Besëlidhjen e Re.
Ajo tingëllon tri herë vetëm në letrat e Shën Palit Apostull, i cili ia atribuon këtë cilësi Zotit, si “i vetmi që e ka pavdekësinë” (1 Tm 6,16), dhe trupit të shëlbuar e të mbështetur nga Shpirti i Hyjit, koncept ky i papranueshëm për botën greke. Vërtet, në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, thuhet se është e nevojshme që “ky trup i shkatërrueshëm të vishet me pashkatërrueshmërinë dhe ky trup i vdekshëm të vishet me pavdekshmërinë” (15,53). Sipas këtij konceptimi, shëlbimi e ringjallja e njeriut vijnë si fryt i vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit. Prandaj është dhuratë hiri! Edhe shën Gjoni Ungjilltar, kur flet për “jetën e amshuar”, nuk e kupton atë si jetë pa fund mbi tokë, por si pjesëmarrje në vetë jetën e Zotit, e cila sigurisht është e amshuar, pra pa fund, por përfshin edhe intimitetin e dashurisë, të lavdisë, të hirit, të bukurisë e të së vërtetës.
Edhe në Besëlidhjen e Vjetër përvijohet një konceptim i tillë në Psalmet, kur përshkruhet fundi i jetës së të drejtit si “gëzim i plotë para fytyrës së Hyjit, kënaqje e amshueshme në të djathtën e Tij” (16,11). Vërtet, Zoti është ai që “do ta shpëtojë shpirtin tim nga kthetrat e Nëntokës” (49,16), prandaj besimtari, siç thotë Psalmi 73, është i sigurtë se “Ti(Zoti) do të më prijsh me këshillën tënde, për të më marrë pastaj me lumturi… Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjit” (24.28). Që tani, nëse jetojmë në drejtësi e në dashuri, jemi në gjendje të provojmë paqen e intimitetit me Hyjin. Kur të kapërcejmë pragun e vdekjes, ky bashkim me Zotin do të bëhet i plotë, në gëzim e dritë. Ose siç thotë Profecia e Danielit: “Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthejlltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.