2011-02-10 11:56:46

Sinodi: Këshilli i posaçëm për Lindjen e Mesme kërkon respekt ndaj bashkësive të krishtera.


Nga 20 deri më 21 janarin e kaluar, pranë Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, u mbajt takimi i dytë i Këshillit të posaçëm të Sekretarisë së Përgjithshme për Lindjen e Mesme.
Sekretari i pëgjithshëm, imzot Nikola Eteroviç, kryesoi punimet, në rendin e ditës të të cilave, ndërmjet tjerash, ishte edhe studimi i dokumenteve sinodale, në shërbim të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë lidhur me përgatitjen e dokumentit papnor pas-sinodal. Para se të kalohej në punimet me bazë grupi – njofton një komunikatë e organizmit vatikanas – sekretari i përgjithshëm përmblodhi argumentet e trajtuara në Propozimet e asamblesë së posaçme për Lindjen e Mesme, duke e ndihmuar Këshillin për vijimin e diskutimit. Përveç kësaj, i ftoi anëtarët të flasin për ndikimin e mesazhit dhe të dokumenteve të tjera të takimit të madh mbi situatën aktuale kishtare e shoqëroro–politike.
Situata kishtare në fazën pas-sinodale – vijon komunikata – përfshihet në programet e zakonshme të mediave lokale, që kryejnë shërbimin e tyre duke u lidhur drejtpërdrejt me rrjetin informatik, me Radio Vatikanin ose me Noursat e Voix de la Charité. Mesazhi e dokumentet e tjera sinodale tashmë janë përhapur e nganjëherë, edhe përkthyer, për të nxitur organizimin e konferencave, studimeve, diskutimeve nga ana e klerit, rregulltarëve e laikëve. Mesazhi u është dorëzuar edhe personaliteteve politike.
Në Siri është mbajtur një kongres ndërkombëtar, kushtuar gjendjes aktuale të marrëdhënieve islamo-kristiane, posaçërisht në vendet arabe. Edhe në Jeruzalem u mbajt një takim i organizuar me nismë të “Qendrës së Jeruzalemit për Marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve” si dhe të “Këshillit ndërfetar”, me pjesëmarrjen e të krishterëve dhe të hebrenjve, që shërbeu për një informacion më objektiv mbi asamblenë sinodale.
Në mjediset e krishtera u organizuan takime ekumenike e sesione dialogu islamo-kristian, me pjesëmarrje të madhe edhe nga ana e ortodoksëve. Tani pritet me interes botimi i Nxitjes pas-sinodale. Duke ndjekur kontributet e anëtarëve të veçantë, u vërejt se kushtet shoqëroro-politike të përgjithshme në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme mbeten tejet të tensionuara. Bashkësitë e krishtera, posaçërisht në vendet e goditura rëndë nga dhuna e nga atentatet, kanë nevojë për ndihmë materiale e morale e jo më pak, edhe të drejtë ta ushtrojnë lirinë e tyre të kultit e të fesë. Respekti për bashkësitë e krishtera ndihmon për të shuar vatrat e mundshme anti-kristiane në Lindjen e Mesme, për t’i vënë pritë largimit të të krishterëve nga zona, nga vatrat e tyre dhe i shërben së mirës së përbashkët. Pas diskutimit të përgjithshëm, anëtarët e Këshillit vijuan punën sipas grupeve gjuhësore, për të thelluar argumentet e trajtuara e, sidomos, për të gjetur një metodë të përbashkët studimi, që të përkojë plotësisht me propozimet e etërve sinodalë.
Kështu, në dy tryeza pune, anëtarët e Këshillit analizuan propozimet e votuara në sallë dhe disa nga dokumentet e tjera sinodale, duke përfshirë edhe ato, që u shpërndanë në fazën para-sinodale e duke hartuar një sintezë të arsyetuar, mbi bazën e studimit sistematik të të gjitha dokumenteve. Pasi caktuan 30 e 31 marsin e ardhshëm si data për takimin e tretë të Këshillit, anëtarët i përfunduan punimet duke iu lutur Zojës së Bekuar, Mbretëreshë e Paqes, të ndërmjetësojë që Zoti t’i japë Lindjes e Mesme dhe zonave fqinje, dhuratën e paqes e të drejtësisë për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.