2011-02-10 16:12:06

Mesazh i Papës për Ditën Botërore të Thirrjeve: të ndjekësh Jezusin është propozim impenjativ, por edhe ngacmues


(10.02.2011 RV)“Ndjekja e vullnetit të Zotit nuk e asgjëson, as e shkatërron njeriun”: kështu shkruan Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e ardhshme Botërore të lutjes për thirrjet në jetën e shuguruar, që do të kremtohet më 15 maj, të dielën IV pas Pashkëve. Tema e sivjetme është “Propozimi i thirrjeve në Kishën lokale”.
“Sidomos në këtë kohë, kur zëri i Zotit duket sikur mbytet nga zëra të tjerë dhe propozimi për ta ndjekur, duke e dhuruar jetën, mund të duket tepër i vështirë, çdo bashkësi e krishterë, çdo besimtar duhet të marrë përsipër me vetëdije impenjimin për të nxitur thirrjet”, shkruan Ati i Shenjtë.
Papa këshillon të inkurajohen dhe të mbështeten ata që tregojnë shenja të qarta se duan të bëhen meshtarë, apo rregulltarë. Duhet ta ndjejnë ngrohtësinë e krejt bashkësisë, kur i thonë “po” Zotit dhe Kishës, vazhdon Benedikti XVI. “Unë vetë – nënvizon më tej – i inkurajoj, ashtu siç kam bërë me ata që kanë vendosur të hyjnë në seminar, të cilëve u kam shkruar: ‘Keni bërë mirë’. Sepse njerëzit do të kenë gjithnjë nevojë për Zotin, edhe në epokën e mbizotërimit të teknikës e të globalizimit. Do të kenë nevojë për Zotin, që na është treguar në Jezu Krishtin e që na mbledh në Kishën universale, për të mësuar me Të e përmes Tij jetën e vërtetë e për t’i pasur parasysh e për t’i zbatuar kriteret e humanitetit të vërtetë”. Në fund, Papa i nxit ipeshkvijtë të mendojnë për nevojat e krejt Kishës, duke i shpërndarë meshtarët në mënyrë të barabartë nëpër botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.