2011-02-09 16:47:57

Portret i Shën Pjetër Kanizit


(09.02.2011 RV)Shën Pjetër Kanizi, meshtar jezuit e doktor i Kishës, të cilin liturgjia e përkujton më 21 dhjetor, njihej me epitetin, që nuk i shkonte për shtat ‘çekani i heretikëve’; do të ishte më e gjetur të quhej hekur i vendosur ndërmjet kudhrës e çekanit, do me thënë njeri i vënë në shënjestër, sepse predikimet e tij të qarta ngjallnin zemërim në mjediset protestante e zili ndërmjet vetë shokëve të tij të fesë. Pjetri lindi në Nemeg të Holandës më 1521. Bir i një familjeje të pasur, pati mundësinë të ndiqte shkollat më të mira të kohës. Studioi për drejtësi kanonike në Luven e për drejtësi civile në Këln. Kur ishte në këtë qytet, i pëlqente të jetonte në kuvendin e çertozinëve.Askujt nuk i pati shkuar ndër mend se avokati i ri, të cilit i jati i kishte siguruar një të ardhme të ndritur profesionale, nën veshje fshihte grathoren. Leximi i një libri të vogël për ushtrime shpirtërore, shkruar nga Shën Injaci, qe vendimtar për zgjedhjen e rrugës së jetës të Shenjtit të ardhshëm.
Si kreu përgatitjen shpirtërore nën drejtimin e Atë Faber, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve e qe jezuiti i shtatë që bënte kushtet e përjetshme. Në Urdhërin ku kishte hyrë, iu krijuan të gjitha mundësitë t’u kushtohej studimeve që i pëlqenin e të shuante etjen për dituri. Botoi kështu njëra pas tjetrës veprat e Shën Çirilit të Aleksandrisë, të Shën Leonit të madh, të Shën Jeronimit e të Ozios të Kordovës.Duke jetuar në atmosferën e reformës e të kundër- reformës, mori pjesë aktive në Koncilin e Trentit, si teolog i kardinalit Trukses e këshilltar i papës. U dallua për thellësinë e kulturës së tij teologjike, për zellin në punë, por edhe për shpirtin pajtues. Shën Injaci e thirri në Itali dhe e dërgoi menjëherë në Sicili për themelimin e kolegjeve të famshme, e pastaj në Bolonjë, për të dhënë mësimin e teologjisë.
Nga Bolonja shkoi në Gjermani ku për 30 vjet me radhë qe epror provincial. Shkriu në këtë detyrë energjitë e tij më të mira, në një epokë tepër të vështirë për shkak të përçarjes që ishte shkaktuar nga reforma protestante. Meritoi epitetin Apostulli i dytë i Gjermanisë, pas Shën Bonifacit. Piu V deshi ta krijonte kardinal, po ai iu lut Papës ta linte në shërbimin e përvujtë të bashkësisë. I la trashëgim Kishës katolike veprat: Summa doctrinae christianae; Catechismus minimus dhe Parvus catechismus catholicorum.







All the contents on this site are copyrighted ©.