2011-02-09 16:48:54

Në Egjipt, Al Kaida bën thirrje për luftën e shenjtë


(09.02.2011 RV)Egjipti akoma nën tension për shkak të protestave e sikur të mos mjaftonte kjo, parrullave kundër qeverisë u shtohet edhe thirrja për “luftën e shenjtë”. I ashtuquajturi “Shtet Islamik i Irakut”, dega irakiane e Al Kaidës u kërkoi manifestuesve, në faqen e internetit të grupit, të luftojnë, që pas regjimit 30-vjeçar të presidentit Hosni Mubarak të vendoset ai i sharisë, i ligjit islamik. Mesazhi është publikuar edhe nga faqe të tjera interneti dhe është kapur nga specialistët e “Site”, grupit antiterrorist, që kontrollon rrjetin, me seli në SHBA. Mesazhi, me një gjuhë tipike prej ekstremistësh, deklaron se “është hapur tregu i luftës së shenjtë”, në të cilën duhet të marrin pjesë të gjithë burrat e aftë për luftë, pasi “janë hapur dyert e martirizimit”.RealAudioMP3
Ndërkaq, në ditën e 16-të të manifestimeve kundër regjimit të presidentit Mubarak, njerëzit, të strehuar nëpër tenda e ku të mundin, kanë vazhduar të qëndrojnë edhe natën në sheshin Tahrir në Kajro. Mobilizimi i përgjithshëm arriti kulmin dje, kur një protestues humbi jetën në ndeshjet me policinë në shkretëtirën perëndimore, në rajonin e Nju Valejt. Rreth njëmijë vetë marrshuan drejt parlamentit e qindra të tjerë u ulën para Dhomës së Ulët, për të penguar hyrjen e deputetëve të Partisë Demokratike Kombëtare. Turma nuk u kënaq me ofertat për dialog të zv.presidentit Omar Sulejman, i cili bisedoi me delegacione të zgjedhura të opozitës, duke premtuar ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjedhje të reja në kohë të shkurtër. Vetë Sulejman pati deklaruar se nga burgjet e Egjiptit janë larguar edhe disa eksponentë të Al Kaidës. Por a është vërtet i lartë rreziku që Egjipti të kalojë në ekstremizëm? Të dëgjojmë islamologun dhe ekspertin e vendeve arabe Paolo Branka, pedagog në Universitetin Katolik të Milanos:
Mendoj se është thjesht instrumentalizim, siç ndodh gjithnjë kur kemi protesta popullore: politikanë ose lëvizje të llojeve të ndryshme përpiqen të përfitojnë nga rasti, të cilin nuk e kanë krijuar ata vetë. Nuk më duket se Al Kaida, apo ekstremistët irakianë simpatizohen nga të rinjtë, që manifestojnë këtyre ditëve, sidomos përsa i përket çështjes së lirisë dhe të dinjitetit. Ata nuk hedhin parrulla islamike.
Pra, lëvizja popullore në Mesdhe është politike e jo islamike?
Them se po, edhe pse gjysma e popullsisë egjiptiane është më pak se 25 vjeç dhe rebelohet sidomos për korrupsionin e tmerrshëm në këto vende. Çdo qytetari, nga mëngjesi në darkë, i kërkohen gjithandej ryshfete, ndërsa pagat janë shumë të ulta e mosbarazia shoqërore shumë e theksuar. Për të mos folur pastaj për mungesën e lirisë së shprehjes, të organizimit të shoqërisë me sindikata, parti e shoqata.
Alarmi që vjen nga këto vende fillon të shqetësojë edhe ato kancelari perëndimore, që fillimisht i mbështetën ndryshimet…
E kuptoj kujdesin, sepse askush nuk e ka sferën e kristalit, por mendoj se nuk janë vendet perëndimore ato që, për shembull, nxisin presidentin Mubarak të qëndrojë në postin e vet. Kam frikë se janë më tepër krerët arabë, të terrorizuar nga ideja e efektit domino për regjimet e tyre, të cilat janë të gjitha antidemokratike, despotike e të korruptuara.
Në mbretëritë si ajo e Marokut, apo ajo jordaneze, gjendja është e njëjtë, apo ka ndryshime?
Po, ka ndryshime, sepse në këto vende, monarkia është e ligjëruar historikisht, më e rrënjosur se republikat e reja, që kanë lindur me grushte, apo puçe shteti. Gjithashtu, sovranët e Marokut e të Jordanisë janë të rinj, prandaj ndryshimi ndërmjet vendit real e vendit ligjor ndihet më pak se tek fqinjët.








All the contents on this site are copyrighted ©.