2011-02-09 11:11:16

Më 9 shkurt nga kalendari kishtar përkujtohet Shën Apollonia, virgjër e martire


Më 9 shkurt nga kalendari Kishtar përkujtohet Shën Apollonia, e cila jetoi në shekullin e III duke iu kushtuar apostullatit. Pajtore e dentistëve, sepse gjatë martirizimit, i qenë shkulur dhëmbë e dhëmballë.
Prandaj ikonografia, shumë e pasur, e paraqet me palmën e martirizimit në njërën dorë e me darën e dentistit në tjetrën.
U martirizua në vitin 249 pas Krishtit në Aleksandri të Egjiptit, gjatë një persekutimi barbar që shpërtheu kundër të krishterëve të qytetit e gjatë së cilit Aopollonia qe arrestuar.
Turma e tërbuar, pasi plaçkiti dhe shkretoi shtëpitë e ndjekësve të Krishtit, e zvarriti Apolloninë jashtë qytetit. Persekutuesit e të krishterëve ndezën aty një zjarr dhe Apollonia u kërcënua se do të digjej e gjallë në se nuk do të pranonte të blasfemonte kundër Jezu Krishtit e të mohonte fenë në Të.
Ajo kërkoi ta linin të mendohej një çast të vetëm, e derisa ata prisnin blasfemitë e mohimin e Krishtit, Apollonia duke pas frikë se nuk do të mund ti duronte torturat, u hodh vullnetarisht ndërmjet flakëve dhe u shkrumbua ndër sytë e salvuesve të saj, që mbeten me gojë hapur nga guximi i Virgjërës e feja e saj e gjallë në Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar. Mbylli kështu ditët e një jete kaluar me lutje e vepra bamirësie, duke u bërë pishtar për t’u ndriçuar të gjithë njerëzve rrugën që çon në mbretërinë qiellore.
Fundi i jetës së Apollonisë pati ngjallur shumë diskutime teologjike, që kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj vetëvrasjes, në se mund ta quajmë kështu vdekjen e Shenjtores, duke pasur parasysh se Kisha katolike nuk pranon që njeriu të vendosë mbi fatin e jetës së vet, sepse jeta është në dorë të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.