2011-02-08 17:44:14

“Të edukosh është një vepër dashurie”. Kard. Groholevski mbi fjalët e Papës në dikasterin e Edukimit Katolik.


(08.02.2011 RV)“Të edukosh është një vepër dashurie, është ushtrim i dashurisë intelektuale, e cila kërkon përgjegjësi, përkushtim, dhe koherencë me jetën.” Kështu vuri në dukje Benedikti XVI përpara pjesëmarrësve në mbledhjen e Kongregatës për Edukimin Katolik që u çel dje në Vatikan. Në fjalimin e tij Papa Racinger kujtoi disa nga temat që janë në planin e punës së këtij dikasteri, ndër të cilat edhe miratimi i një dokumenti kushtuar përdorimit të internetit nëpër Seminare.
Prefekti i Kongregatës, kard. Groholevski nënvizon në mikrofonin tonë faktin se sfida e edukimit është një nga më urgjentet për Kishën:

Përgjigje: E kuptojmë fare mirë këtë gjë sikurse kuptojmë edhe se të edukosh sot është më e vështirë se në të kaluarën, siç vuri në dukje edhe Ati i Shenjtë, për shkak të një kulture e cila relativizmin e ka përqafuar si kredo të vetën, e që prandaj ka edhe një sensibilitet më të vogël kundrejt së vërtetës objektive dhe vlerave tek të cilat duhet bazuar jeta. E gjitha kjo e bën edukimin shumë më të vështirë. Nëse nuk ka ideale, nëse nuk ka të vërtetë objektive, nëse gjithçka është relative, me çka të edukojmë atëherë? Këtu zë fill edhe problemi i madh i edukimit. Ati i Shenjtë ka vënë në dukje një gjë shumë të rëndësishme: të edukosh është një vepër dashurie. Vepër dashurie nuk është vetëm të japësh gjëra materiale. Të edukosh, të arsimosh është patjetër një vepër dashurie. Ati i Shenjtë na e vë në dukje shumë shpesh konceptin e “dashurisë intelektuale”, gjë që kërkon nga ana e Kishës, përgjegjësi të madhe, përkushtim dhe koherencë sepse “edukim” nuk do të thotë vetëm të “të japësh mësim” por edhe t’i dëshmosh dhe t’i përjetosh thellësisht, në jetën tënde këto të vërteta.







All the contents on this site are copyrighted ©.