2011-02-08 15:54:18

Thirrje e myslimanëve dhe e të krishterëve: Rruga e dialogut për të mirën e Egjiptit


(08.02.2011 RV)Protestat egjiptiane hyjnë në javën e tretë, me një thirrje të re nga ana e manifestuesve drejtuar presidentit Hosni Mubarak, për të dhënë dorëheqjen. Demonstruesit në sheshin Tahrir, prej ditësh nëpër tenda, kanë premtuar të qëndrojnë aty derisa presidenti të largohet. Manifestimi i sotëm ishte prova se sheshi do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi presidentin, siç kërkoi Lëvizja “6 prill”, e cila organizoi sot një protestë edhe para televizionit të Kajros.
Lirimi i administratorit të Google, Uael Gonajm, simbol i protestës në internet, mund t’i japë revoltës vrull të ri. Gonajm tregoi se është mbajtur në burg me sy të lidhur. Ndërkaq, presidenti egjiptian rriti dje me 15% rrogat dhe pensionet, krijoi komisionin e premtuar për reformat kushtetuese, një komision për zbatimin e marrëveshjeve të arritura përmes “dialogut kombëtar” me opozitën dhe, një komitet hetimor për dhunën e së mërkurës së kaluar. Sipas zv.presidentit Sulejman ekziston plani për ndryshimin paqësor të pushtetit. Gjithashtu, ka filluar hetimi i ish-ministrit të brendshëm Habib Hadli, i cili akuzohet për masakrën e koptëve në Aleksandri.
Nga ana e tij, presidenti Mubarak lavdëroi sot rininë egjiptiane dhe dha urdhër, që protestuesit të mos persekutohen, por t’u njihet e drejta e shprehjes. Njerëzit, të lodhur nga 30 vjet diktaturë, nuk u besojnë më fjalëve dhe vazhdojnë manifestimet në sheshin Tahrir, ku janë mbledhur edhe profesorët e universiteteve.
Edhe krerët e krishterë e myslimanë kërkojnë një konfrontim serioz, në kuadrin e dialogut kombëtar. Thirrje për dialog kanë bërë imamët e universitetit Al-Azhar, zemra e islamit sunit, dhe kardinali patrik i Aleksandrisë së koptëve, Antonios Naguib.







All the contents on this site are copyrighted ©.