2011-02-08 10:59:49

Sot më 8 janar kalendari Kishtar përkujton shë Jeronim Emilianin


Shën Jeronim Emiliani, është themelues i Shoqërisë së Shërbëtorëve të të varfërve (Somaskët) e u përkujdes për të sëmurët, të rinjtë e braktisur e për shpëtimin e prostitutave.
I lindur në Venedik më 1486, fisnik venecian, që jetoi në shekullin XVI, Jeronim Emiliani ëndërronte një karrierë që do t’i dhuronte lavdi. Nisi, prandaj jetën ushtarake, por si u zu rob gjatë një beteje, e mbyllën në qelitë e nëndheshme të një kështjelle, lidhur këmbë e kokë me zinxhirë. S’mund të bënte tjetër, veç të kujtonte jetën e tij të shkurtër, të mendonte për kotësinë e pushtetit njerëzor, të sillte ndër mend t’ ëmën, që e kishte mësuar të lutej e t’ia besonte veten Zojës së Bekuar, Nënës së Krishtit e Nënës shpirtërore të gjithë të krishterëve. E kështu, falë lutjes, nisi ta ndjejë veten të lirë.
Takimi personal me Zotin, përmes Virgjërës Mari, i la gjurmë të thella në jetë. Kur rifitoi lirinë, jeta e tij mori një kthesë rrënjësore: ndërroi miqësitë, nisi të lexojë çdo ditë Fjalën e Zotit, ndjeu thirrjen për impenjim misionar në shërbim të të varfërve, të sëmurëve, të rinjve të brakstisur e grave të penduara e që donin të shpëtonin nga prostitucioni. E kështu, pas një periudhe të shkurtër noviciati si pendestar me Gjampietro Karafën, papën e ardhshëm Pali IV, Jeronimi ia kushtoi gjithë jetën Zotit.
Tërhoqi me shembullin e vet shumë meshtarë e laikë të cilët, ashtu si ai, dëshironin t’i shërbenin Krishtit ndër të varfërit. Lindën kështu “Shërbëtorët e të varfërve” e pastaj edhe “Urdhëri i Klerikëve Rregulltarë të Somaskës”, ose Etërit Somaskë, që e morën emrin nga qyteti lombard në Itali, ku bashkëpunëtorët e shenjtit shkonin për t’u lutur.
Shën Emiliani përsëriste gjithnjë fjalët: “Në se Zoti gjen në shpirtin tuaj fe të çiltër e shpresë, do të bëjë me ju gjëra të mëdha, sepse ai i larton të përvujtët. Në se e ruani veten në mesin e tundimeve, Zoti do t’ju ngushëllojë në këtë botë; do t’ju japë përkohësisht paqe e qetësi këtu poshtë e pastaj, përjetësisht, në botën tjetër”. Vdiq gjatë epidemisë të një sëmundjeje ngjitëse më 8 shkurt 1537, derisa po u shërbente të sërmurëve. U shpall shenjt më 1767, e më 1928 u shpall pajtor qiellor i rinisë së braktisur.







All the contents on this site are copyrighted ©.