2011-02-08 15:11:19

Pakistan: Musharraf i hetuar për vrasjen e Benazir Butos.


(08.02.2011 RV)Ish-presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf, që gjendet në azil në Londër, është hetuar për vrasjen e udhëheqëses politike Benazir Buto. Hetimet janë zhvilluar nga Agjencia Federale e Hetimeve e Pakistanit, por qeveria nuk është vënë në dijeni nga frika se mos ndërhynte. Lajmi u dha sot nga e përditshmja pakistanase “Dawn”. Sipas gazetës, hetuesit nuk e kanë informuar me dashje as ministrin e brendshëm Rehman Malik, e as komandantin e policisë Uasem Ahmed, që të shmangeshin ndërhyrjet e mundëshme me hetimet.
Benazir Buto u vra më 27 dhjetor 2007 ndërsa po dilte nga një Park në Ravalpindi. Një kamikaze u hodh në erë fare pranë makinës së saj duke vrarë simpatizantë të partisë së Butos dhe disa truproje. Sidoqoftë, ekziston një film ku shihet qartë një snajper që e godet Buton në kokë kur kjo gjendej jashtë makinës për të përshëndetur turmën. Dyshimet e hetuesve bien mbi ish-presidentin Musharraf, sepse atë ditë ai kishte ndërruar komandantin e truprojeve të Butos dhe pas atentatit kishte dhënë urdhër që sheshi të pastrohej menjëherë, pa i dhënë mundësi policisë për të hetuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.