2011-02-08 15:54:02

Në Indonezi, myslimanët sulmojnë tri kisha dhe një jetimore të krishterë


(08.02.2011 RV)Mijëra myslimanë sulmuan sot tri kisha, një jetimore të krishterë dhe një qendër shëndetësore në Indonezi, në qendër të ishullit të Javës. Dhuna shpërtheu pas vendimit gjyqësor për një rast blasfemie. Një i krishterë, Antonius Riçmond Bauengan u arrestua në tetor 2010 me akuzën se kishte shpërndarë material misionar, i cili fyente disa simbole islamike. U dënua me pesë vjet burgim, por turma kërkonte dënimin e tij me vdekje. Vetëm policia arriti t’i shuajë protestat, që sot shkaktuan dëme të rëndësishme në kishën katolike të Shën Pjetrit e të Shën Palit dhe djegjen e një kishe pentekostale. Grupi i fanatikëve u sul pastaj kundër një jetimoreje katolike dhe kundër qendrës shëndetësore të Murgeshave të Provanisë Hyjnore. Sipas ipeshkvit të Semarangut, dioqeza ku ndodhën sulmet, kemi të bëjmë me “dhunë të paramenduar”. Ta dëgjojmë imzot Johanes Puxhasumartën, me telefon nga Indonezia:
Në këtë moment, gjendja po përmirësohet, por vërtet kemi pasur probleme të mëdha. U plaçkitën kishat: iu vu zjarri dy kishave protestante dhe u sulmua edhe kisha katolike. Famullitari u godit nga protestuesit.
Cila është gjendja e përgjithshme në Indonezi, përsa i përket ekstremizmit islamik?
Ndjej keqardhje të thellë, sepse gjatë kohëve të fundit, gjatë muajve të fundit në veçanti, po rritet intoleranca nga ana e grupeve të fanatikëve.
Kjo konfirmohet edhe nga një raport i pavarur i Institutit Setara për Paqe e Demokraci. Gjatë vitit 2010 janë verifikuar 216 raste dhunimi të lirisë fetare në Indonezi e janë sulmuar 43 vende të krishtera kulti. Ironi e fatit: jo më larg se të dielën, në vend filloi Java e Harmonisë ndërmjet feve, organizuar nga Kombet e Bashkuara. Në Xhakartë mijëra besimtarë të të gjitha feve mbushën rrugët e kryeqytetit për të festuar këtë “harmoni”, e cila nuk qe e tillë as atë ditë. U vranë tre myslimanë të një sekti, që konsiderohet heretik nga integralistët islamikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.