2011-02-08 16:37:06

NATO, Rasmusen: pasoja të mundshme nga situata në Afrikën veriore.


(08.02.2011 RV)Bilanci i Aleancës, situata e paqëndrueshme në Afrikën e Veriut dhe Afganistani. Këto ishin tri temat mbi të cilat u përqëndrua konferenca për shtyp e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen mbajtur dje në Bruksel. Ish-kryeministri danez vuri në dukje se në vitet e fundit shtetet evropiane të Paktit Atlanik i kanë prerë ndjeshëm fondet ushtarake. “Flasim këtu për afro 45 miliardë brenda pak vitesh, që është baraz me bilancin vjetor të Gjermanisë.” NATO-ja po varet gjithmonë e më shumë nga SHBA. Para dhjetë vjetësh, SHBA mbanin 50% të peshës, ndërsa sot 75%, dhe kjo është në ngritje, çka tregon se Evropa është gjithmonë e më e dobët.” - theksoi Rasmusen.
Në lidhje me Afrikën veriore, Rasmusen pohoi se “nuk mund të themi se do të ketë stabilitet.” Duhen mbajtur, pra, nën kontroll këto “zhvillime dramatike” të cilat, bashkë me krizën ekonomike, mund të kenë pasoja të mëdha për Evropën. Prej këndej edhe thirrja për një mbrojtje “më të zgjuar, me më pak burime financiare por me më shumë bashkëpunim, bashkërenditje, më tepër koherencë dhe fleksibilitet.” Në këtë vështrim, Rasmusen e përshëndeti si një “hap domethënës përpara” shembullin e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Francës dhe Britanisë së Madhe.
Sekretari i përgjithshmë i NATO-s në fund lajmëroi edhe se “muajin e ardhshëm do të merret një vendim që do të shënojë një fazë të re të operacioneve të NATO-s.” Bashkë me qeverinë e Kabulit, shpjegoi ai, “do të vendosim cila provinca dhe distrikte afgane do të jenë të parat që do t’i kalohen afganëve.” Rasmusen kujtoi pastaj edhe se kohët e fundit, ka diskutuar për këtë në Uashington me sekretaren e shtetit Hilari Klinton dhe me sekretarin e mbrojtjes Robert Gejts. “Nëse kushtet në terren do të na e lejojnë, atëherë forcat afgane do të marrin nën kontroll gjithë vendin në fund të 2014.” - përfundoi Rasmusen.







All the contents on this site are copyrighted ©.