2011-02-08 17:39:41

Ipeshkvijtë e Filipineve në vizitën ad Limina Apostolorum në Vatikan: jo planit të Manilës për kontrollimin e lindjeve, varfëria vjen nga korrupsioni e padrejtësia.


Me grupin e ipeshkvijve katolikë që u pritën të hënën nga Papa, në Vatikan kthehet në qendër të vëmendjes situata e Kishës Katolike në Filipine. Ipeshkvijtë që do të vijojnë vizitën e tyre ad Limina deri më 19 shkurt, janë pjesë e grupit të dytë të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Vendit aziatik, e kanë ardhur në Romë pas grupit të parë që u pritën nga Benedikti XVI në muajin nëntor e dhjetor të vitit të kaluar e grupi i tretë i ipeshkvijve, do të jenë në Vatikan kah mbarimi i muajit. Vizita aktuale e prelatëve të Filipineve përkon me një ngjarje të rëndësishme të këtij kombi: miratimin parlamentar të projekt ligjit mbi shëndetin riprodhues, të kundërmuar e luftuar shumë nga Kisha katolike vendase.
Ligji në fjalë, të cilin e mbështet krahu laicist, promovon planifikimin familjar që i fton çiftet të mos kenë më shumë se dy fëmijë, sanksionon personelin mjekësor që është kundër abortit e favorizon sterilizimin vullnetar. Kisha katolike e Filipineve e kundërshton këtë projekt ligj dhe shqetësohet për një ligj që është kundër jetës, këndej është duke menduar të organizojë një fushatë të “mos dëgjesës civile”, nëse ligji miratohet. Kisha dhe shoqatat katolike mbështesin përkundrazi “Natural Family Programme”, që synon përhapjen në popullsi të një kulture të ndërgjegjshme bazuar mbi vlera të krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.