2011-02-08 14:30:37

Francë. Kardinali Zhan–Pierr Rikard: në mbrojtjen e embrionit nuk pranohen shkelje


Duke pranuar në mënyrë të pakushtëzuar se embrioni njerëzor është i ligshtë, për vetë natyrën e vet, ligji duhet t’i përgjigjet plotësisht asaj, që presin prej tij shumica e nënshtetasve, të cilët dëshirojnë që “shteti të jetë i aftë për t’i mbrojtur të gjithë, posaçërisht më të ligshtët, nga prirjet për t’ia nënshtruar logjikës së tregut, eksperimentet e praktikat, që tradhtojnë parimin e integritetit të trupit njerëzor”. Përfundon me këtë shpresë editoriali i kryeipeshkvit të Bordosë, kardinalit Zhan-Pierr Rikard i cili, në gazetën e dioqezës së tij, “L’Aquitaine”, ndalet posaçërisht tek nenet 23 e 24 (që kanë të bëjnë me kërkimet shkencore mbi embrionin e njeriut) të projekt- ligjit mbi bioetikën, aktualisht në diskutim në parlamentin francez.
Mbi argumentin – njofton gazeta vatikanase “L’Oservatore Romano” – prelatët kanë ndërhyrë kohët e fundit përmes një note, dorëzuar deputetëve, në të cilën përmbledhin propozimet e tyre në mbrojtje të jetës njerëzore. Për kardinalin Rikard, projekt-ligji ka një kontradiktë të brendshme. Nga njëra anë vijon të ndalojë kërkimet shkencore mbi embrionin e njeriut dhe mbi qelizat staminale embrionale njerëzore, nga ana tjetër vendos të bëjë lëshime në favor të kërkimeve shkencore. Në disa kushte – shkruhet në të – embrionet e tepërta mund të përdoren e edhe të shkatërrohen. Në vitin 2004, me rastin e rishikimit të parë të ligjit mbi bioetikën, kërkimi shkencor mbi embrionet autorizohej për një periudhë të kufizuar prej pesë vjetësh. Ky autorizim nisi që nga data 6 shkurt e vitit 2006 e duhej të skadonte pikërisht në këtë datë të vitit në vijim. Ndërsa projekt–ligji, kujton kardinali Rikard, e bën të përhershme këtë shmangie. Ai nuk autorizon gjithçka. Nuk autorizon, për shembull, tregtimin e trupit njerëzor. E ky ndalim nuk pranon lëshime, vijon kardinali Rikard, duke kujtuar se zbulimet shkencore mbi qelizat staminale të njerëzve të rritur i kanë hapur udhën një metode alternative. Këtë thekson kryeipeshkvi i Bordosë, i cili pohon me forcë se në gjitha rastet, embrioni njerëzor është njeri me kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Se, prandaj, duhet mbrojtur në të gjitha rastet e pa asnjë kusht.
Kujtojmë se parlamenti francez do të fillojë diskutimin e projekt-ligjit nesër, më 8 shkurt. Pritet një diskutim i gjatë e i ashpër. Përfshin, ndërmjet tjerash, edhe dhurimin e vezoreve nga ana e grave, që nuk kanë pasur kurrë fëmijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.